LAJMI I FUNDIT:

Thaçi për The Hill Times: Kosova mund të shërbejë si qendër për investimet kanadeze në rajon

Thaçi për The Hill Times: Kosova mund të shërbejë si qendër për investimet kanadeze në rajon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për mediumin kanadez The Hill Times ka inkurajuar kanadezët që të investojnë në Kosovë, në harmoni me marrëdhëniet e ngrohta politike ndërshtetërore.

Ky medium kanadez, duke iu referuar vizitës së javëve të kaluara të Thaçit në Toronto, thotë se kjo vizitë erdhi në një kohë të thellimit të marrëdhënieve mes Kanadasë dhe Kosovës.


The Hill Times përshkruan procesin e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se Kanada ka njohur Kosovën në mars të vitit 2008, një muaj pasi ajo shpalli pavarësinë nga Serbia, kurse vitin që shkoi, marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kosovës u thelluan edhe më tej. Madje, ky medium kanadez përmend edhe pjesëmarrjen e sekretares së Parlamentit, Pamela Goldsmith-Jones, në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Thaçi, duke thënë se vizita e saj në Kosovë në prill ishte vizita e parë nga një deputet shtetëror i Kanadasë.

“Kosova është një shtet i ri më shumë mundësi, ka një klimë shumë të mirë për investime, ka shumë burime, mund të shërbejë si një qendër për investime të mëtejme në rajon”, citohet të ketë thënë Thaçi për “The Hill Times”.

Kanadaja dhe Kosova, sipas këtij mediumi, tashmë janë të proces të finalizimit edhe të një marrëveshje ndërshtetërore për investime.

Negociatat që përfunduan në gusht të vitit të kaluar drejt Marrëveshjes për Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve të Jashtme Kanada-Kosovë (FIPA), sipas The Hill Times, patën për qëllim të sigurojnë se investimet kanadeze në Kosovë janë të sigurta, bie fjala, nga shtetëzimi – ato kishin filluar në qershor 2014.

Dokumenti është duke u përkthyer dhe nën shqyrtim ligjor, kishte shkruar zëdhënësja e “Global Affairs Canada” (Departamenti i Qeverisë së Kanadasë që menaxhon marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore, për të inkurajuar tregtinë ndërkombëtare të vendit, dhe për të udhëhequr zhvillimin ndërkombëtar dhe ndihmën humanitare të Kanadasë), Austin Jean, në një email të datës 16 shtator.

“Disa prej investitorëve janë duke pritur këtë. Por, njëherësh, ne nuk mund të ndalemi. Ne kemi nevojë për të ecur përpara”, citohet të ketë thënë Thaçi, i cili sipas The Hill Times, është takuar më përfaqësues të kompanisë së minierave me seli në Vankuver, Avrupa Minerals Ltd, gjatë qëndrimit të tij në Kanada.

Kjo kompani aktualisht po bënë punë eksploruese në Kosovë dhe ka plane për të investuar në një projekt për miniera ari.

Goldsmith-Joneska thënë për The Hill Times se tregtia dypalëshe aktualisht është modeste, shumica e eksporteve kanadeze në Kosovë janë prodhime të mishit apo të elektronikës, por ka potencial për rritje të investimeve në energji, miniera dhe infrastrukturë.

”Këto investime i mirëpresim edhe ne, edhe Kosova”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, zëdhënësja e “Global Affairs Canada”, Austin Jean, ka vënë në dukje se investimet e huaja janë të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

“Klima e investimeve në Kosovë po përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, edhe pse mbeten sfida për sa i përket transparencës dhe kapaciteteve administrative”, ka thënë ajo, shkruan The Hill Times.

Kurse për drejtuesin e organizatës “Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtar dhe Siguri”, me zyre në Bruksel, sipas këtij mediumi kanadez, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ngurrojnë të investojnë në Kosovë, sepse nuk ka stabilitet.

“Ka biznese që njohin mundësinë e një profiti të shpejtë, pavarësisht jostabilitetit të mundshëm në vend, por ndërmarrjet e vogla dhe të mesme më shumë ngurrojnë për të investuar, sepse ka çështje që mund ta bëjnë Kosovën një vend paksa të rrezikshëm për investime”, ka thënë Dusan Reljic, drejtues i think-tankut të quajtur Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtar dhe Siguri me zyre në Bruksel.

Raporti i të Bërit Biznes i Bankës Botërore për vitin 2016 ka renditur Kosovës në vendin e 66 nga gjithsej 189 shtete të anketuara, një ngritje nga vendi i 75-të më 2014, njofton Global Affairs Canada, transmeton The HillTimes.

Sipas këtij mediumi kanadez, Thaçi citohet të ketë thënë se qeveria e vendit të tij po punon për të miratuar edhe një ligj që synon lehtësimin e investimeve të huaja në vend dhe heqjen e pengesave burokratike.

The Hill Times shkruan se Kosova gjithashtu është e prekur edhe nga probleme të korrupsionit, duke theksuar se renditet e 103-ta nga 168 shtete në Indeksin për Perceptim të Korrupsionit të organizatës Transparency International për vitin 2015. Porse, sipas Dusan Reljic, nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtar dhe Siguri, ky problem nuk është i veçantë për Kosovën.

“Është diçka që është e zakonshme në rajon dhe kjo ka të bëjë me varfërinë dhe rezultatet e dobëta në zhvillim”, ka thënë Reljic.

Presidenti Thaçi, sipas The Hill Times, ka thënë se Qeveria e Kosovës gjithashtu po ndërmerr hapa për të luftuar korrupsionin, një veprim që Qeveria e Kanadasë e ka mirëpritur.

Pavarësisht nga kundërthëniet e vazhdueshme rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas The Hill Times, marrëdhëniet e Kosovës me Kanadanë kanë avancuar.

“Ka një angazhim të rritur në nivele të larta në raport me Kosovën” ka shkruar Jean, transmeton ky medium kanadez.

Ndërsa, Goldsmith-Jones është shprehur se Kanadaja ishte një nga vendet e para që njohu Kosovën dhe ka lavdëruar qeverinë e mëparshme për marrjen e atij hapi.

“Prandaj, mendoj se është një nisje shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy shteteve tona dhe kjo gjithashtu rrëfen për përpjekjet tona në mbështetje të Kosovës dhe stabilitetin e saj dhe përparimit ekonomik në rajon”, ka shtuar ajo.

Në përpjekjet e saj për njohje globale, The Hill Times shkruan se Kosova gjithashtu ka vazhduar orvatjet për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare. Ajo i është bashkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ajo ende po punon për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe në Kombet e Bashkuara.

“Mendoj se Kanadaja është partner yni strategjik”, citohet të ketë thënë Thaçi.

“Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer është vërtetimi më dëshmues i këtij fakti”, ka thënë ai.

Jean pohoi se Kanadaja mbështet integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtar dhe institucionet ndërkombëtar, si një faktor kyç në forcimin e stabilitetit rajonal.

“Kanadaja aktivisht inkurajon shtetet e tjera të njohin sovranitetin e Kosovës dhe mirëpret aspiratat e Kosovës për anëtarësim në KB dhe BE” ka thënë ajo, duke shtuar se qeveria kanadeze po diskuton me aleatët e saj të NATO-s sesi t’i përgjigjet kërkesës së Kosovës për marrëdhënie të avancuar me NATO-n.