LAJMI I FUNDIT:

Thaçi rrezikon qeverisjen me mosshkarkim të Çekut

Thaçi rrezikon qeverisjen me mosshkarkim të Çekut

Agim Çeku nuk e ka të sigurt mbajtjen e postit të ministrit, pas aderimit në Partinë Demokratike të Kosovës. Kështu, të paktën, besojnë njerëz të afërt me udhëheqësin e Koalicionit për Kosovë të Re, Behgjet Pacolli.

Zëvendëskryeministri i parë, sipas tyre, ka marrë premtime nga bartësi i koalicionit qeverisës, Hashim Thaçi, se çështjen e lirimit të Çekut nga pozita ministrore, do ta shqyrtojë me t’u kthyer nga Brukseli, ku është duke zhvilluar takimin e katërt me homologun serb, Ivica Dacic.

Ndërkohë, në KKR, tashmë kanë filluar kërkimet për gjetjen e zëvendësuesit të Çekut. Tash për tash, sipas burimeve në Aleancën për Kosovë të Re, gjasat për t’u bërë ministër i ardhshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës i ka Shefki Abdullahu, i njohur gjatë luftës me nofkën “Leopardi”, shkruan “Koha Ditore”.

“Sapo kryeministri të kthehet nga Brukseli do të rregullohet çështja e emërimit të kandidatit që do të zëvendësojë Çekun, sepse posti i ministrit të FSK-së i takon Koalicionit për Kosovë të Re. Kryeministri i ka thënë Pacollit se mund ta emërojë këdo dhe në parim nuk e ka kundërshtuar as Shefki Abdullahun si opsion”, ka thënë zyrtari i AKR-së. /Telegrafi/