LAJMI I FUNDIT:

Thellohet rënia e ekonomisë spanjolle

Thellohet rënia e ekonomisë spanjolle

Rënia e ekonomisë spanjolle u përkeqësua më shumë në tre muajt e fundit të vitit 2012, me Prodhimin e Brendshëm Bruto që pësoi një tkurrje prej 1.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ai tetor-dhjetor ishte 0, 7 për qind më i keq, duke hyrë në historinë e vendit si semestri më i dobët që prej krizës botërore ekonomike të vitit 2009.

Aktualisht, Spanja është duke u përballur me faktorë të shumtë që pengojnë rritjen ekonomike, midis të cilëve borxhi i lartë kombëtar, deficiti i lartë buxhetor, masat e ashpra shtrënguese të kursimit, mungesa e konkurrencës, borxhi i lartë i sektorit privat dhe mungesa e qëndrueshmërisë në sistemin bankar.


Kryeministri i vendit, Mariano Rajoy, iu përgjigj këtyre shifrave të publikuara nga Instituti Kombëtar Spanjoll i Statistikave duke lajmëruar një paketë të re stimuluese për ekonominë.

Paketa përfshin reduktim taksash për sipërmarrësit e rinj, por pritet të ketë pak efekt në panoramën e përgjithshme të shkurtimeve që po udhëheq Madridi zyrtar. /Telegrafi/