LAJMI I FUNDIT:

Trajtimi i sëmundjes Crohn

Trajtimi i sëmundjes Crohn

Sëmundja Crohn është sëmundje kronike, gjendje inflamatore recidivuese dhe remitente e traktit gastrointestinal. Trajtimi i kësaj sëmundje ka ndryshuar në mënyrë radikale dekadën e fundit, pas zhvillimit të terapisë biologjike dhe rritjes së imunomodulatorëve.

Njohuritë mbi potencialin terapeutik dhe efektet anësore të janë të domosdoshme për të ofruar një dobi te pacientët dhe për t’i mbrojtur ata nga rreziqet të cilat mund t’i shkaktojnë këto mjekime.

Sëmundja Crohn paraqitet në çdo moshë, mirëpo më së shpeshti ndërmjet moshës 16-30 vjeçare, ndërsa ka një efekt jo-proporcional te personat ekonomikisht aktivë. Simptomat më të shpeshtë përfshijnë diarrenë, dhimbjen abdominale, humbje në peshë dhe plogështi. Sëmundja karakterizohet me inflamacion transmural intestinal dhe me paraqitjen e karakteristikave jashtë intestinale, siç është artropatia ose dermopatia. Meqenëse kjo sëmundje paraqitet rrallë, atëherë diagnostikimi i saj shpesh shtyhet pasi që mendohet për ndonjë sëmundje tjetër. Në kuadër të diagnozës diferenciale të sëmundjes Crohn, duhet larguar dyshimin për sëmundjet infektive me: Yersinia spp, Mycobacterium tuberculosis, Atypical mycobacteria; pastaj sëmundjet jo infektive: Divertikuliti, koliti ulcerativ, sarkoidoza, sindroma Behçet, kanceri kolorektal, jejunoileti ulcerativ etj.

Objektivat e trajtimit të rekomanduar nga direktivat evropiane dhe amerikane bazohen në ekzaminimet sistematike dhe konsensusi i ekspertëve. Ata rekomandojnë që trajtimi të konceptohet në termat e induksionit dhe lehtësimit të gjendjes. Format e sëmundjes dallojnë nga njëra-tjetra, prandaj strategjia terapeutike duhet bërë për secilin individ veçmas në raport me diktimin nga kriza. Qëllimet e mjekimit janë në arritjen e një lehtësimi të qëndrueshëm të sëmundjes, dhe terapia të jetë sa më pak toksike dhe të shmangen komplikimet. 75 % e pacientëve vazhdojnë punën edhe dhjetë vite pas diagnostikimit, kështu që këto shënjestra janë reale, megjithatë rëndesa e sëmundjes është e lartë te personat me sëmundje më të rëndë.

Opsionet e mjekimit

Menaxhimi i sëmundjes Crohn përfshin trajtimin mjekësor dhe kirurgjik së bashku me një specialist i cili merret me ushqyerjen e dhe mbështetjen e pacientit. Barnat të cilat përdoren në mjekimin e sëmundjes Crohn, përfshijnë:

Mesalazine. Nga viti 2006 janë zbuluar gjëra të rëndësishme në lidhje me vlerën e mesalazines. Për sëmundjet e lehta ose mesatare të sëmundjes Crohn aktive, masalazine ka efekt më të mirë se placebo. Për përmirësimin e sëmundjes, masalazine duket se e redukton rrezikun nga recidivët pas ndërhyrjes kirurgjike, mirëpo jo pas remisionit të shkaktuar me barna tjera.
Kortikosteroidet në mënyrë më efektive shkaktojnë përmirësimin e sëmundjes, mirëpo nuk i parandalojnë recidivët. Organizata evropiane për sëmundjen Crohn dhe për Kolitin këshillon se mjekimi i gjatë me kortikosteroide nuk është i përshtatshëm dhe duhet gjithmonë të kihen parasysh efektet anësore. Kortikosteroidet me bio-disponueshmëri të ulët sistemike, siç është budesonidi, preferohen për rastet e lehta dhe të mesme të sëmundjes Crohn.
Antibiotikët janë të përshtatshëm tek komplikimet septike dhe sidomos për sëmundjet perianale. Megjithatë mjekimi i sëmundjes Crohn me antibiotikë me spektër të gjerë veprimi nuk ka shfaqur ndonjë dobi të veçantë.

Terapia biologjike dhe imunomodulatorët

Terapia biologjike i shfrytëzon proteinat e inxhinierisë gjenetike (siç janë antitrupat monoklonik), të cilat i shënjestrojnë mediatorët, si citokinet, të cilat janë të përfshirë në proceset biologjike. Te sëmundja Crohn, faktori i nekrozës tumorale i citokinës (TNF-alfa) ndërmjetëson inflamacionin, ndërsa antitrupat terapeutikë, infliximab dhe adalimumab (të cilët janë të lejuar për trajtimin e kësaj sëmundje) e bllokojnë këtë veprim. Terapitë biologjike administrohen në mënyrë parenterale dhe qëndrojnë në organizëm për shumë javë dukë shkaktuar një veprim më të gjatë. Imunomodulatorët e modifikojnë funksionin e sistemit imun në një mënyre të përgjithshme dhe më pak specifike. Këto terapi kanë dallim të vogël, pasi edhe terapia biologjike edhe imunomodulatorët e suprimojnë sistemin imun dhe në këtë mënyrë mund ta modifikojnë rrjedhën e sëmundjes, mirëpo në rrezik për infeksionet oportunistike dhe komplikimet e tjera. Imunomodulatorët siç janë, azathioprina, mercaptopurina ose methotrexati, ndihmojnë në përmirësimin e sëmundjes dhe konsiderohen si terapi më e mirë te rastet më të rënda të sëmundjes Crohn.

Indikacionet për terapinë anti- α-TNF janë rastet me sëmundje të rëndë dhe mesatarisht të rëndë. Dobi të veçantë mund të kenë rastet me fistula ose manifestime jashtë-intestinale. Rekomandimet për terapinë anti- α-TNF nga institucionet shëndetësore evropiane nuk e kanë mbajtur hapin me arritjet e praktikës klinike. Megjithatë ato nuk i kanë sanksionuar terapitë të cilat kanë shfaqur sukses. P.sh. terapia me infliximab shoqërohet me zvogëlimin e qëndrimit në spital mbi 12 muaj, dhe sidomos preferohet në rastet kur është shëruar mukoza. Megjithatë mbetet për mjekimin e individëve të veçantë me sëmundje të panënshtrueshme ndaj terapive tjera, meqenëse zgjidhjet tjera janë shumë të pakta, ndërsa kirurgjia ëhstë shumë e shpejtë.
Ndërsa vendimi për terapinë biologjike te pacientët e veçantë, duhet të bazohet në aktivitetin e sëmundjes, reagimin ndaj terapisë së mëparshme, komplikimet e sëmundjes dhe faktorët e jashtëm

Efektet anësore

Rreth 60 % e pacientëve me sëmundjen Crohn në Evropën Perëndimore do të trajtohen me imunomodulatorë, ndërsa 30 % e tyre me terapi biologjike. Për të arritur një baraspeshë ndërmjet dobive dhe rrezikut të çdo trajtimi duhet folur me të gjithë pacientët në veçanti. Nga efektet e mëdha anësore të azathioprines janë suprimimi i palcës kurrizore, pastaj hepatiti dhe pankreatiti; prej efekteve anësore të vogla përfshihen nauzea, vjellja deh simptomat e ngjashme me gripin. Pavarësisht nga këto simptoma thiopurinet tolerohen në 75% të rasteve nga pacientët.

Rreziku nga infeksionet oportunistike te sëmundjet inflamatore të zorrëve është shumë i lartë. Rreziku nga infeksioni serioz pas terapisë më agjentët anti- α-TNF është 2.8-4 %. Mirëpo në anën tjetër, përdorimi i prednizolonit është i shoqëruar me rrezik të dyfishtë nga ndonjë infeksion serioz dhe rritje të rrezikut nga mortaliteti. Ndërsa kundërindikacione për përdorimin e terapisë anti- α-TNF janë gjendjet me sepsë, tuberkuloz, neurit optik (demielinizim), reaksion infuziv dhe kancer.

Kirurgjia

Historikisht, 80 % e pacientëve me sëmundjen Crohn i nënshtrohen kirurgjisë në një fazë të sëmundjes, kështu që ndërhyrja kirurgjike duhet të konsiderohet si strategi e kuptueshme terapeutike. Në kohën më të re laparoskopia po bëhet një metodë gjithnjë e më standarde, sidomos për operimin ileocekal, meqenëse koha e qëndrimit në spital është më e shkurtër në krahasim me kirurgjinë e hapur. Rekomandimet e ekspertëve janë që planifikim i opsionit kirurgjik duhettë diskutohet me pacientët vetëm në rastet kur terapia anti- α-TNF nuk ka sukses.

Mjekime të reja

Zhvillimi i terapisë biologjike vazhdon, edhe pse natalizumab (i cili inhibon migrimin e limfociteve dhe është shumë efektiv, megjithëse në 24.000 pacientë të trajtuar, tri raste kanë përfunduar fatalist si pasojë e leukoencefalopatisë multifokale) dhe certolizumab pegol ( i cili ka efekt para ose pas përdorimit të infliximab) janë refuzuar nga Rregullativi evropian për dhënien e licencave. Ky status, megjithatë, i kufizon opsionet terapeutike të cilat janë në dispozicion në Evropë, në krahasim me SHBA, ku terapitë e ngjashme janë të lejueshme për rastet më të rënda të sëmundjes.

Strategjitë alternative përfshijnë bllokimin e sinjalit të nevojshëm për aktivizimin limfociteve T me anë të barit, abatacept (i cili është i aprovuar për mjekimin e artritit reumatoid), megjithatë studimet për ndikimin e tij në sëmundjet Crohn janë në progres. Terapitë tjera përfshijnë inhibitorët e IL12 dhe IL23, të cilat aktualisht janë në eksperimente klinike. Një hulumtim tjetër evropian dhe kanadez për transplantimin e qelizave mëmë autologe te të sëmurët me sëmundjen Crohn, është po ashtu në progres.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori