LAJMI I FUNDIT:

Transporti në Maqedoni me rritje pozitive në vitin 2016

Transporti në Maqedoni me rritje pozitive në vitin 2016

Siç thonë raportet e përpiluara për tremujorin e parë të këtij viti, transporti në Maqedoni shënon rritje të qëndrueshme, ndërsa bartës i kësaj rritjeje është transporti ajror, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Shikuar në përgjithësi, përpos trafikut ajror, llojet tjera të transportit kanë rejtingje të ndryshueshme, por jo negative. Për dallim nga to, transporti ajror paraqet bartës të të hyrave në këtë sferë, gjë që qartë duket nga statistikat e vitit të kaluar.


Respektivisht sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistika, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, trafiku ajror shënon rritje prej 28,2%. Numri i përgjithshëm i udhëtarëve të bartur nga aeroportet e Maqedonisë është 343,541 udhëtarë. Situata e këtillë vjen si pasojë logjike e futjes së linjave të reja të cilat Shkupin dhe Ohrin i lidhin me metropolet evropiane dhe vendet aktuale.  Sa i përket transportit të mallrave, rritja është akoma më e madhe, respektivisht 35,4%.

Ngadalë por sigurt, rritje shënon edhe transporti hekurudhor, në të cilin kohëve të fundit investohet më së shumti. Numri i udhëtarëve është rritur për 6,4%, por numri pritet të rritet  për shkak të vënies në përdorim të linjave të reja me frekuencë më të madhe në të cilat do të qarkullojnë trenat e ri. Transporti i mallrave me tren është zvogëluar për 21,4% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si pasojë e krizës me refugjatët.

Transporti urban dhe ai mes qyteteve edhe më tej janë bartës në këtë veprimtari me numër më të madh të udhëtarëve, mbi 19 milionë, por te ky lloj i transportit përfitimet janë më të vogla./Telegrafi/