LAJMI I FUNDIT:

Turpi nuk ka fund…

Turpi nuk ka fund…

Barcelona është eliminuar nga Liga e Kampionëve nga Bayerni Munichu me rezultat të përgjithshëm 7-0, pas disfatës së pësuar edhe në Camp Nou me rezultat 3-0.

Barcelona qysh para fillimit të takimit e mësoi se ishte eliminuar nga gara. Kjo pasi Messi nuk u deklarua i gatshëm fizikisht për të startuar ndaj Bayern Munichut, duke shuar edhe ato pak shpresa për një rikthim të jashtëzakonshëm, apo të ashtuquajturën “Remuntada”.

Fillimi i takimit ishte me posedim të topit nga vendasit, por që nuk kishte zgjidhje në sulm, teksa Bayerni për pak sa nuk e vrau lojën me kundërsulme.


Vlen të përmenden tentativat e Arjen Robbenit, që u ndal dy herë nga Gerard Pique, në rastet kur holandezi u tregua paksa egoist.

Blaugranët u përpoqën që me krosime të ndryshme në zonë të shpërthejnë mbrojtjen tepër të fortë të Bayernit, i cili u tregua i painteresuar për të realizuar.

Nga afërsia Barcelona ishte pranë golit në minutën e 35-të, por tentativa përfundoi mbi portë.

Rezultati i pjesës së parë mbeti pa gola 0-0 dhe shpresat për Barcelonën tejet të vogla për një përmbysje.

Pjesa e dytë, ishte thjesht formalitet. Messi sërish nuk startoi, ndërsa Bayern intensifikoi përpjekjet për të shënuar gol.

Sigurisht se Heynckes mund t’ia ketë tërhequr vërejtjen Robbenit në pushim të pjesësve. Pas një depërtimi fantastik, Arjen Robben arriti që me një goditje mjeshtërore të realizonte për 1-0 dhe shuarjen e të gjitha gjasave të mundshme për një rikthim të Barcelonës.

Tani Blaugranët kishin për detyrë që të shënonin edhe gjashtë gola për një kualifikim, e që në fakt as në ëndrrat më të mira të mundshme të katalanasve nuk do të ndodhi.

Vlen të përmendet se Tito Vilanova e kompletoi ofendimin për 100 mijë tifozët e Barcelonës në Camp Nou dhe milionave anë e mbanë botës – pa ndonjë arsye ai largoi Xavin dhe Iniestën nga loja në pjesën e dytë, teksa Barcelona mbeti pa treshen e saj legjendare.

Në minutën e 72-të pas një aksioni mirë të organizuar, ishte Gerard Pique ai që shënoi në portën e tij për 2-0 dhe epërsinë e Bayernit.

Por, bavarezët nuk u ndalën. Turpërimi për katalanasit vazhdoi të rritej, pas një depërtimi fenomenal të Franck Riberys, i cili asistoi për mrekulli për Thomas Mullerin, që me kokë realizoi për 3-0 dhe rezultatin përfundimtar.

Bayerni Munichu kështu e ka kompletuar kualifikimin në finale pas dy ndeshjeve me rezultat 7-0 ndaj një prej ekipeve më të mira në vitet e fundit, Barcelonës.

Bayern Munichu do të përballet me rivalin e përbetuar, Borussia Dortmund, në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve që zhvillohet më 25 maj në Wembley të Londrës.