LAJMI I FUNDIT:

Turqia dhe “turq(n)ija”!

Turqia dhe “turq(n)ija”!

Dikur disa nga pleqtë tanë, analfabetë, fanatikë në fe e në jetë, betoheshin në “turq(n)i”. Pasha “turq(n)inë” bënin be ata, plot nostalgji për babën mbret, dhe kështu mendonin se e përballojnë presionin e jashtëzakonshëm serb për asimilim.

Serbët, në periudhën e formësimit të tyre si komb dhe të luftës çlirimtare kundër Perandorisë Osmane, në programin e tyre kishin përfshirë jo vetëm çlirimin e tyre, por edhe “çlirimin” e popujve tjerë të Ballkanit, sidomos sllav, por edhe të shqiptarëve për të cilët konsideronin se ishin asimiluar në pjesë të madhe për shkak të pranimit të fesë islame, si njërën nga dy alternativat asimiluese me të cilat ishin ndeshur në mesjetë.


Kështu, nacionalizmi i ri, militant serb, po e luftonte korpusin e shqiptarëve si kolaboracionist të turqve, duke i trajtuar si turq në fakt, dhe po i zhvendoste dhunshëm nga trojet tyre, në vend se nacionalizmin shqiptar ta shihte si aleat të vetin në këtë luftë.

Kështu, vendosja e marrëdhënieve shqiptaro serbe në këtë fazë, mbi baza historikisht të gabuara, bëri që shqiptarët si komunitet shumicë në një hapësirë të madhe ballkanike, të ndeshen me një pushtues të ri, i cili tash në vend të asimilimit, po synonte të i shfaroste krejtësisht, duke i zhvendosur dhunshëm nga tokat e veta, me pretendimin se aty ishin sjellë pikërisht nga ish-perandoria.

Kjo, në një situatë kur një popull ende konfuz lidhur me identitetin e vet, në vend të çlirimit nga pushtuesit disa shekullorë, po ndesheshin me një nacionalizëm agresiv e grabitës, i cili e rrezikonte vet qenien e tyre, e rindërtoi edhe raportin e shqiptarëve me ish-perandorinë mbi një shpresë të kotë se ajo mund të shërbejë si një mburojë nga ambiciet grabitëse të fqinjëve, të cilët zbrazëtirën që po e linte ish-perandoria, po përpiqeshin (me përkrahjen ruse) ta mbushin me idenë e Serbisë imperiale, mesjetare, e cila më vonë me përkrahjen edhe të vendeve të ndryshme evropiane, do të merrte formën e dy shteteve shumëkombëshe me emrin Mbretëria e SKS, ose Jugosllavia e parë, dhe më pas edhe ajo e dyta, komuniste.

Në fund të fundit, serbët preferonin më tepër “turq(n)inë”, një identitet të mbathur prej “turkoshakësh” sesa një identitet kombëtarë shqiptar që po formësohej me mund dhe vështirësi të mëdha nga intelektualët shqiptarë në vet gjirin e Perandorisë, pra identitetin shqiptar i cili po formësohej në formën e luftës çlirimtare nga Perandoria Osmane nga intelektualë dhe politikanë të cilët i kontribuuan jo vetëm rilindjes kombëtare shqiptare po edhe kulturës dhe identitetit të ri modern turk.

Ishte kjo ideja shqiptare e cila u dilte përball ambicieve imperiale serbe, në Ballkan, dhe ajo punoi shumë, qoftë me dinarë, qoftë me konspiracione që të krijonte konfuzion në kokat e udhëheqësve shqiptarë të kryengritjes, qoftë te ideologët të kësaj lëvizjeje.

Ky konfuzion, i krijuar në kokat e disa ideologëve dhe udhëheqësve të lëvizjes kombëtare, do të ndihmonte që serbët të pushtojnë gjysmën e Shqipërisë etnike dhe më vonë ta copëtojnë në kuadër të Jugosllavisë me popujt tjerë sllav dhe asnjëherë nuk e ndalën konspiracionin për të krijuar konfuzion identitar, madje as në ditët e sotme duke tentuar që përmes një kombi të ri, as shqiptar e as serb, por kosovar ta mbajnë ende Kosovën në orbitën e tyre. Derisa Turq(n)ija po hupte terren në Kosovë, sidomos nën ndikimin e fuqishëm euroatlantik, në Maqedoni ajo u bë ideja dominuese, e cila u përkrah fuqishëm edhe nga nacionalistët e rinj maqedonas, të cilët sipas shembullit dhe modelit serb, më tepër preferojnë “turq(n)inë” sesa idenë shqiptare, qoftë ajo edhe evropiane.

Krejt kjo as që nuk do të ishte ndoshta interesante, sikur ky raport i shqiptarëve dhe projektet nacionale të këtyre fqinjëve tonë të mos ishin aktuale edhe sot. Jo vetëm se shqiptarët në Serbi dhe Turqi ende kanë probleme me identitetin e tyre, por ata në vend të urës së bashkëpunimit në mes vendeve dhe popujve, shihen si komunitet që duhen asimiluar, sidomos në Turqi, ku madje e kanë të ndaluar edhe deklarimin nacional, e lëre të jenë të lirë në zhvillimin e kulturës së vet.

Krejt këto po i qet sërish në sipërfaqe kaosi jo vetëm politik por edhe identitar turk, lufta në mes qenies së tyre qytetare, demokratike, evropiane – atlantike në njërën anë dhe qenies së tyre autoritare, islamike, neo-perandorake në anën tjetër.

Në fund të fundit, ndoshta as nuk na hyn në punë se cili do të jetë vendimi i popullit turk. Po të merrej një vendim sikur në Britani të Madhe, demokratik, me vullnet të lirë, kjo vështirë se mund të ishte i kontestueshëm, por krejt kjo po e merr formën e një lufte për autoritarizëm mesjetar i cili më herët u përlesh me forcat demokratike nëpër sheshet e Stambollit dhe tash përmes inskenimeve po i jep grushtin e fundit sekularizmit dhe ligjshmërisë në vendin e vet, dhe po e shndërron në program shtetëror ri ngritjen e perandorisë, e cila deri tani ishte vetëm një program kulturorë, që udhëhiqej nga miku i tij Gylen dhe i cili po e ringjallte “turq(n)inë”.

Sidoqoftë, Turqia është në udhëkryq, e bashkë me te edhe “turq(n)ija” në Kosovë, dhe në vendet të cilat neo-perandoria ëndërron që sërish të i kthej në orbitën e sajë, nën flamurin e perandorisë dhe nën thirrjen e thekshme të ezanit, ashtu siç veproi këto ditë, duke e shndërruar ezanin në bori lufte, në instrument të politikës, në vend se të jetë një thirrje xhematit për me u lidh në namaz.

Është diçka që na bënë të mos jemi indiferent, dhe kjo është kërkesa gati ultimative e këtij vendi që të përfshihet në BE bashkë me të gjitha kontradiktat e thella të cilat mund të menaxhohen veç me dhunë, dhe kurrsesi brenda parimeve të lirisë dhe demokracisë evropiane. Kjo paraqet problem serioz.

Presidenti turk dëshiron të sundojë në emër të Zotit, ndërkohë që në BE janë në pushtet qytetarët, përmes përfaqësuesve të tyre. Demokracia dhe republika islamike janë tash një kohë të gjatë duke u përleshur në këtë vend i cili, ka zënë brigjet e dy kontinenteve dhe vështirë i fsheh ambiciet që të rikthejë përmasat e dikurshme perandorake dhe për këtë po e rikthen sërish zotin në skenën politike. Prej luftës së ideve po shndërrohet sërish sikurse dikur, në luftën që zoti i tyre është më i madhi prej të gjithëve, dhe ai duhet të sundojë jo vetëm në qiell por edhe në tokë, jo vetëm në Turqi, por në një perandori prej ku lind dhe deri ku perëndon dielli.

Rikthimi i Zotit në politikë ka arsyet e veta. Nëse do të marshonin me flamurin e nacionalizmit turk , me siguri se përkrahja dhe rreshtimi i popujve përreth me një rrugë me Turqinë do të ishte e vogël, prandaj ringjallja e “turq(n)isë” si thoshin dikur pleqtë tonë analfabet, po u duket atyre si alternativë e vetme.

Do të pajtoheni se një shqiptarë, qoftë edhe analfabet e ka të qartë se njëkohësisht nuk mund të jetë shqiptar edhe turk dhe se për të u identifikuar me këtë vend duhet të heq dorë nga vendi i vet, dhe këtë përpos jeniçerëve të rinj, të blerë ose të indoktrinuar, vështirë se e gëlltitë dikush. Mbetet vetëm “turq(n)ija” kjo mjegull identitare, e cila i ka rrënjët në frikën nga fqinjët grabitqarë, dhe në mosbesimin e nacionalizmit shqiptarë në forcat e veta. Këtu hyn edhe disponimi anti-perëndimorë që përhapet nëpër “mejtepet” e reja të arsimit dhe politikës të financuar “bujarisht” nga organizatat bamirëse.

Nuk është çudi që ringjallja e “turq(n)isë”, nga disa intelektualë të akulturuar shqiptarë, të zhgënjyer gjithsesi me klasën politike dhe intelektuale, të korruptuar dhe servile të pasluftës, servile ndaj gjithkujt tjetër dhe të ashpër, grabitëse dhe të pashpirt në raport me popullin e vet, kuptohet si një shpresë për mbijetesë në ambientin ballkanik të kontaminuar me urrejtje dhe pretendime territoriale.

Jo vetëm në Turqi, por edhe “turq(n)ija”, kudo që të ketë lëshuar rrënjë në formën e shoqatave, të jeniçerëve të rinj të armatosur me diploma kolegjesh neo-perandorake, kjo luftë po zhvillohet ku hapur e ku mbuluar në mes të rrugës, si dilemë: drejt popujve të lirë evropian, apo drejt konjukturave të reja autoritare, neo-perandorake, të cilat kërkojnë të ndryshohet e kaluara, dhe të pranohet pushteti i vetëm një “Zoti” politik në këto hapësira.

Kah po shkon Turqia e cila këto ditë ka burgosur me mijëra profesionist, sekularist, dhe po kërkon vrasjen e tyre në emër të Zotit, kjo mbetet në vullnetin dhe fuqinë e popullit dhe qytetarisë turke, e cila vështirë se është mundur në sheshin “Taksim”, sidoqoftë, bashkë me këtë edhe “turq(n)ija” do të forcohet në Ballkan, ose do të ç’formësohet nën ndikimin e erërave të ngrohta dhe çlirimtare dhe qytetëruese evropiane.