LAJMI I FUNDIT:

U promovua libri për interpretimin e Deklaratës së Pavarësisë

U promovua libri për interpretimin e Deklaratës së Pavarësisë

Diplomatë, studiues dhe personalitete të jetës akademike e kanë vlerësuar lartë librin “Interpretimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, të autorit Bujar Desku, i cili u promovua të martën në Prishtinë.

Ky libër kërkimor-shkencor përmbledh të dhëna dhe analiza themelore juridike të një dosjeje konkrete, me përmbajtje të pasur dokumentesh të periudhës nga vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar deri te vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Studiuesi dhe diplomati i ri, Bujar Desku, përmes dokumenteve burimore evidenton, elaboron dhe u jep dritë qindra njësive dokumentare, që pasqyrojnë rrjedhën e shtetformimit të Kosovës nga prizmi i veprimeve specifike politiko-diplomatike.


Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Islam Lauka, autor i parathënies së librit në fjalën e tij gjatë promovimit ka vlerësuar lartë rëndësinë e këtij botimi, duke u fokusuar në rolin e rëndësishëm që ka për Kosovën vendimi i GJND-së.

Ambasadori Lauka theksoi se ky libër përveç rëndësisë historike për Kosovën dhe kombin shqiptar, paraqet një kontribut të çmuar edhe për diplomacinë dhe studimet shkencore në këtë sferë.

Redaktori i librit, Skënder Zogaj ka folur për përmbajtjen e librit duke theksuar se studiuesi Bujar Desku me përkushtim shkencor i evidenton, elaboron dhe u jep dritë qindra njësive dokumentare, që pasqyrojnë rrjedhën e shtetformimit të Kosovës, nga prizmi i veprimeve specifike politiko-diplomatike.

“Libri përmbledh të dhënat dhe analizën themelore juridike të një dosjeje konkrete, me përmbajtje të pasur dokumentesh burimore, deklarata e opinione, akte zyrtare e raporte, kërkesa dhe vendime, korrespondenca e shënime, të periudhës, nga vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar, tek procesi negociator për statusin final të Kosovës, e deri te miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja”, tha Zogaj.

Kurse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili foli për rrjedhat e procesit në GJND, duke shpalosur edhe inserte të veçanta të cilat e kanë karakterizuar këtë ngjarje historike për Kosovën.

Autori Mr. Bujar Desku, ka falënderuar bashkëpunëtorët për ndihmën dhe përkrahjen në përgatitjen e këtij libri. /Telegrafi/