LAJMI I FUNDIT:

Uji i pijes sipas standardeve ndërkombëtare

Uji i pijes sipas standardeve ndërkombëtare

Uji i pijes në Kosovë është sipas standardeve të bashkësisë ndërkombëtare. Kështu u tha sot në Prishtinë në prezantimin e Raportit për cilësinë e ujit të pijes në Kosovë për vitin 2015, publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, raporti i parë i këtij lloji që publikohet në Kosovë, por edhe në rajon.

Në prezantimin e këtij raporti u bën të njohura faktet sipas të cilave, cilësia e përgjithshme e ujit të pijes në Kosovë që u ofrohet konsumatorëve nga shtatë kompanitë Rajonale të ujësjellësve dhe sipas monitorimit nga Qendra e Ujit e IKSHP-së në kuadër të përgjegjësive të saj për monitorimin e jashtëm të përcaktuara me UA 16/2012 ka arritur përputhshmëri prej 96.3% me standardet mikrobiologjike të cilësisë së ujit dhe përputhshmëri prej 97.3% me standardet kimike, duke rezultuar në një nivel të përgjithshëm të përputhshmërisë prej 97.0% si rezultat i 43.000 testeve të bëra nga gjashtë laboratorë Rajonale të IKSHP-së dhe Qendra e Laboratorëve Testues të IKSHP-së në Prishtinë gjatë 12 muajve të vitit 2015.


Duke përshëndetur publikimin e këtij raporti, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se roli dhe rëndësia e ujit nuk diskutohet meqenëse uji është nevojë bazike për jetën e njeriut.

“Sigurimi i ujit të pijshëm është një parakusht për mirëqenie sociale dhe shëndetësore. Për shëndetësinë publike është prioritet. Përveç rolit të padiskutueshëm të ujit për nevojat fiziologjike, personale, shtëpiake, ekonomike, uji është edhe kërcënim”, tha Rrahmani.

Historia e mjekësisë, shtoi Ministri, ka shënuar fakte të frikshme ku uji ka shkaktuar me mijëra viktima si nga epidemitë hidrike (Kolera, tifoja, poliomieliti, Malaria, etj.) ashtu edhe nga stuhitë dhe vërshimet.

“Uji ka ndikime shumë më të gjera në shëndetin dhe mirëqenien dhe çështje të tilla si sasia dhe cilësia e ujit janë të rëndësishme në përcaktimin e shëndetit të individëve dhe komuniteteve”, tha ministri, duke theksuar se MSH do të vazhdojë me mbështetjen e IKSHPK drejt përmbushjes së qëllimeve dhe sfidave të këtij sektori.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se sigurimi i ujit të pijshëm të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës ende paraqet një ndër sfidat më të mëdha afatgjata… Ai tha se Raporti i parë vjetor 2015 do të ofrojë një pikë të dobishme referuese me të cilën do të mund të krahasohen me raportet e ardhshme vjetore të IKSHP-së për performancën e cilësisë së ujit të pijshëm.

Afrim Lajçi, udhëheqës i Këshillit Ndërministror për Ujërat në Kosovë tha se raporti i publikuar paraqet një zhvillim pozitiv për monitorimin e cilësisë së ujit të pijes që e konsumojnë qytetarët dhe i kontribuon edhe ngritjes së transparencës për cilësinë e ujit të pijes që ofrohet përmes kompanive publike, pore dhe llogaridhënien e këtyre kompanive.

Zëvendësdrejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Bernard Solen, që ka mbështetur publikimin e këtij raporti, tha se kualiteti dhe monitorimi i cilësisë së ujit të pijes është krrucial për shëndetin e popullatës dhe zhvillimin e një shoqëria. Ai tha se autoritetet zvicerane kanë mbështetur një raport të tillë duke ditur rëndësinë e sigurimit të ujit të pijes për popullatën. /Telegrafi/