LAJMI I FUNDIT:

Ulët papunësia në Itali

Ulët papunësia në Itali

Lajme të mira vijnë për qeverinë italiane për sa i përket ecurisë së tregut të punës.

Gjatë muajit mars, norma e papunësisë fiksohet pranë 11.4 për qind, në rënie me 0.3 pikë përqindje në krahasim me muajin shkurt. Edhe punësimi i të rinjve shënon progres gjatë muajit të kaluar papunësia e grupmoshës nga 15 deri në 24 vjeç regjistrohet pranë 36.7 për qind gjatë marsit, në rënie me 1.5 për qind në krahasim me muajin paraardhës.


Në terma tremujorësh, gjatë periudhës janar-mars 2016, papunësia regjistrohet në rënie me 0.5 për qind në krahasim me tre muajt e fundit të vitit të kaluar, e barabartë me 15 mijë individë më pak në kërkim të punës.

Vetëm gjatë muajit Mars sipas institutit italian të statistikave vlerësohet se janë krijuar 90 mijë vende pune, duke lënë pas kështu performancën disi zhgënjyese të muajit shkurt e duke i`u rikthyer niveleve të muajit të parë të vitit.

Shpërndarja e vendeve të reja të punës është thuajse e barabartë mes dy gjinive. Ekspertët deklarojnë se performanca pozitive vjen edhe si pasojë e sezonit. Pavarësisht kësaj, Italia vazhdon të mbetet një ndër vendet e Eurozonës me normën më të lartë të papunësisë, sidomos të papunësisë së të rinjve. /Telegrafi/