LAJMI I FUNDIT:

Ushqimet më të preferuar të njerëzve të famshëm

Ushqimet më të preferuar të njerëzve të famshëm

Sarkozy, antialkoolisti që pëlqen makaronat. Kemal Ataturku pëlqente fasulet dhe rakinë. Gatimet e preferuara të princeshës Diana - nga patatet e pjekura tek perimet e mbushura. Hamburgerët dhe purot pëlqenin presidentët amerikanë.

Gatimet e preferuara të princeshës Diana, ngapatatet e pjekura tek perimet e mbushura

Për dasmën e Princit të Uellsit dhe Princeshës Diana u përgatitën disa dhjetëra torta të posaçme. Ndërsa, torta zyrtare e martesës u bë nga pastiçeri i flotës ushtarako-detare britanike David Avery. Puna skrupuloze, me merak të madh për përgatitjen e tortës mori shumë kohë, meqenëse u bënë njëkohësisht dy torta – për çdo eventualitet, në qoftë se ndonjë nga ato mund të dëmtohej gjatë transportimit.


Edhe një tjetër tortë për dasmën e sipërpërmendur u përgatit nga pastiçeri i famshëm belg Sender, i njohur si “pastabërësi i mbretërve”. Por, për fat të keq, martesa e Princit të Uellsit dhe Princeshës Diana nuk mori në të vërtetë trajtën e një përralle të bukur. Lidhja martesore e tyre pësoi “plasaritje” dhe si përfundim u prish. Por, që para kësaj Princesha Diana ra në depresion të thellë, gjendje kjo që u shoqërua nga bulimia. Diana hante çdo gjë që i zinte syri në tavolinë. Ndërsa, pas pak kohe gruan e pllakoste mërzia, ajo binte në melankoli. Por, Princesha arriti ta luftojë këtë sëmundje. Ndërsa, të ruajë familjen, ç’është për të ardhur keq, nuk mundi.

Disa vite më parë Darren McGrady, i cili pat punuar si kryekuzhinier personal i Princeshës Diana, botoi një libër, në të cilin u tregoi lexuesve mbi gatimet e preferuara të Dianës: ajo hante me kënaqësi të madhe patatet e pjekura në letër varaku, sallatat e ndryshme. I pëlqente edhe pureja me mëlçi pate e prerë në copa të vogla, trofta e buburitur (e zier me pak zjarr), preferonte mëlçinë e viçit dhe i gëzohej pa masë gjithfarë produkteve të gatuara me brumëra. Në mënyrë të veçantë i pëlqenin Princeshës perimet e mbushura, sidomos patëllxhanët e mbushur me speca të grirë imët, kunguj të njomë (zucchini), selino, kërpudha, qepë, proshutë (bacon) dhe mozzarella. Disa pjata kuzhinieri i përgatiste për Dianën në variant të lehtë – me pak yndyrë. Kështu, asaj i servirej, për shembull, pjata me karavidhe e shoqëruar me mus djegës të përgatitur me domate e kopër. Ndërsa mysafirëve u viheshin përpara po të njëjtat gatime vetëm se me përmbajtje të zakonshme (normale) yndyre. “Dhe të gjithë mbeteshin të kënaqur”, – vë në dukje kryekuzhinieri i Princeshës. Ëmbëlsira më e preferuar e Dianës ishte budingu i përgatitur me bukë e gjalpë të freskët. “Kjo ëmbëlsirë ishte diçka e ngjashme mes budingut dhe creme-brulee”, – tregon Darren McGrady. I pëlqenin jashtë mase asaj edhe akullorja e sufletë (soufflé) e vogla.

Më 30 gusht të vitit 1997 në hotelin Ritz Carlton në Paris Princesha Diana dhe miku i saj Emad El-Din Mohamed Abdel Moneim Fayed ishin ulur bashkë në tavolinë. Diana porositi omëletë me kërpudha e asparagus dhe peshk të kripur (Dover sole) me tempurë perimesh. Jo shumë kohë pas kësaj tryeze të fundit, duke u përpjekur ti shpëtonte survejimit të paparacëve të ngjitur, të bezdisshëm, Princesha gjeti vdekjen në një aksident automobilistik.

Diana merrej në mënyrë mjaft aktive me veprimtari bamirësie dhe paqeruajtëse. Sipas të dhënave të sondazhit të zhvilluar në vitin 2002, Diana u rendit në vendin e 3-të në listën e 100 britanikëve më të mëdhenj, më të famshëm të historisë. Ajo konsiderohej si pjesëtarja më me popullaritet e familjes mbretërore britanike.

Mustafa Kemal Ataturku: Besnikëria ndaj traditave dhe rakisë

Turqit krenohen shumë me kuzhinën e tyre duke e renditur atë në artin botëror të gatimit në shkallën më të lartë të rejtingut, fare pranë kuzhinës franceze dhe kineze. Gjithashtu turqit respektojnë shumë edhe themeluesin e Republikës Turke Mustafa Kemal Ataturkun. Fjala Ataturk në gjuhën turke do të thotë “babai (ati) i turqve”. Këtë titull politikanit reformator ia dhanë bashkatdhetarët në shenjë njohjeje të meritave të tij.

Ashtu siç dhe i takonte “atit të turqve”, ky politikan i njohur me autoritet të madh në preferencat e veta gastronomike i jepte përparësi kuzhinës kombëtare turke. Në fëmijërinë e tij një ndër gatimet më të dashura për të ishte kulaçi me spinaq që piqte nëna. Në moshën 18-vjeçare Mustafa Kemali filloi studimet në shkollën ushtarake në Stamboll, ku nxënësit i ushqenin kryesisht me fasule të ziera, mish të pjekur qengji me oriz.

Ndoshta pikërisht që nga ajo kohë Ataturku filloi ta donte gjellën me fasule të bardha, që gatuhet tradicionalisht në ushtrinë turke. Thonë, se pas kryerjes së shërbimit ushtarak, shumë veta nuk i shohin dot me sy më fasulet. Ndërsa Ataturku ishte i gatshëm ta hante pothuajse çdo ditë gjellën me fasule. Në përgjithësi ai nuk hante shumë, por kur ishte i uritur u lutej kuzhinierëve ti gatuanin atij fasule. Një gjellë akoma dhe më e thjeshtë, e cila i pëlqente shumë Ataturkut, ishte pilafi me oriz.

Duhet thënë, se krijimi i Republikës Turke ndodhi në kohëra shumë të vështira, kur mishi bile edhe në tryezat e nëpunësve të lartë zyrtarë ishte gjë e rrallë. E ç’mund të thuhet atëherë për njerëzit e thjeshtë të cilët e shihnin mishin me sy vetëm në ditë feste. Kështu që preferencat modeste gastronomike të liderit të vendit ishin plotësisht me vend. Në vend të mishit ai preferonte të hante perime, ndërkohë që i pëlqente mishi i punës apo i gjelit të detit. Në disa libra të artit gastronomik mund të gjesh recetën e të gatuarit të pulës ala-çerkeziane me arra, të cilën e prezantojnë si një ndër pjatat më të preferuara të Ataturkut.

Ditën ai e fillonte me një mëngjes modest: çaj ose kafe, një fetë bukë me ajran (dhallë) të ftohtë ose pinte ngandonjëherë ndonjë gotë kos. Në drekë hante zakonisht po atë pjatë me fasule dhe pilaf. Në darkë pinte një gotë ajran.

“Ataturku nuk ishte njeri nazeli në të ngrënë dhe ngrihej nga tryeza e bukës me një ndjesi të lehtë urie në stomak. Por kurrë nuk hante ai gjellën e ftohtë. Në qoftë se vinte re se ajo ishte ftohur nuk e prekte fare atë. Kështu që kuzhinierit i duhej ta rifillonte rishtas gatimin”, – kujtonte gjellëbërësi i tij.

Megjithëse ishte jashtëzakonisht i matur në të ngrënë Ataturku mund të kalonte në tavolinë shumë kohë duke e shfrytëzuar shpesh herë tryezën me bisedat dhe debatet që zhvillohen rreth saj si një nga mjetet e zgjidhjes së problemeve shtetërore.

Gjatë udhëtimeve që ndërmerrte nëpër vend ai me kënaqësi provonte gjellët e kuzhinës krahinore me të cilat e gostitnin atë. Ataturku nuk ishte ndonjë specialist i madh në vlerësimin e ëmbëlsirave, megjithëse dhe i jepte hakun atyre. Sepse Turqia është vend me nam të madh për ëmbëlsirat e veta. Atij i pëlqente pa masë reçeli me petale trëndafili dhe pjepër.

Rrëfejnë, se Mustafa Kemal Ataturku pinte në ditë nga 10-15 filxhanë kafe me pak sheqer dhe disa dhjetëra cigare. I pëlqente Ataturkut edhe pija e fortë tradicionale turke – raki, të cilën ai e pinte duke e përzierë shpesh herë me ujë, gjë pas së cilës ajo merrte një ngjyrë të bardhë qumështi. Çdo qejfli rakie ka dhe mezet e veta të preferuara, kurse Ataturku mendonte se shoqëruesja më e mirë e kësaj pije të fortë në tavolinë është biseda. Qarkullojnë thashetheme në lidhje me atë, se pikërisht të dhënit pas rakisë dhe e dëmtoi fort shëndetin e Presidentit të parë të Republikës Turke, i cili ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare.

Thomas Jefferson, presidenti që revolucionarizoi kuzhinën amerikane

Presidentin e tretë dhe njërin prej etërve themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Thomas Jefferson nuk e quajnë më kot ngandonjëherë njeriun e vërtetë të epokës së Rilindjes, megjithëse ai dhe pat jetuar në kohë tjetër. Ai kombinonte në vetvete talente të ndryshme – atë të politikanit, diplomatit, shkencëtarit, udhëtarit, fermerit, koleksionistit, shpikësit. Përveç kësaj ai ishte edhe qefli i madh të ngrënash. Pëlqente jashtë mase kuzhinën amerikane, por pavarësisht nga kjo shfaqte interes të gjallë edhe ndaj arritjeve të artit gastronomik të vendeve të tjera.

Gjatë kohës së qëndrimit të vet disavjeçar si ambasador i SHBA në Francë Thomas Jefferson studioi me skrupolozitet të madh kuzhinën franceze. Por edhe perimet e freskëta ai i preferonte jashtë mase. Atij i pëlqenin ullinjtë, fiqtë, manat, ananaset. Në Monticello, në çifligun e Jeffersonit, mbilleshin shumë perimeve, barishte dhe erëza që përdoreshin të freskëta në tavolinë. Thomas Jefferson ishte gjithashtu edhe entuziast i kultivimit të frutave të ndryshme, të reja për Amerikën. Ai mbolli jo pak rrënjë dardhash në çifligun e vet në Virginia. Më e preferuara për Jeffersonin ishte dardha “beurre”, e cila e përkthyer nga frëngjishtja do të thotë “si gjalpë (vajore)”. Kultivonte me kënaqësi të madhe ai edhe pjeshkët. Mbillte shalqinj, që u sollën në Botën e Re pas zbulimit të saj nga Evropianët.

Ndër produktet më të preferuara të Thomas Jeffersonit ishin edhe prodhimet e detit (fruta deti) – karavidhet, guaskat e detit. Vdiste ai për ëmbëlsirat franceze, sufletë, byreçkat e lehta me petë të holla.

Pije të zakonshme në tavolinën e Jeffersonit ishin mushti, vera e mollës, pija prej malt-i. Ndërsa vera e preferuar e Presidentit ishte Madeira. Po ashtu si dhe shumë udhëtarë të tjerë, pasi kthehej në shtëpi, Thomas Jeffersonin e merrte malli për gatimet e provuara në viset e huaja. Ai mbante shënim recetat e atyre gjellëve që i pëlqenin më shumë, me qëllim që të kishte mundësi ti servirte në tavolinën e shtëpisë së vet në atdhe. Midis ëmbëlsirave më me popullaritet ishte akullorja me vanilje, receta e përgatitjes të së cilës ishte shënuar me dorën e vetë Jeffersonit.

Shumë risi të bëra njëherë e një kohë nga Thomas Jefferson vazhdojnë të mbeten deri tani pjesë përbërëse tradicionale e kuzhinës amerikane. Shërbëtorit të vet, i cili kthehej më vonë nga Evropa në Amerikë, Jefferson i jepte udhëzime që të sillte me vete sa më shumë makarona, Parmigiano (lloj dhjathi), fiq Marseille, rrush të thatë, bajame, uthull, vaj ulliri, mustardë, anchois (një lloj serdeleje). Në Holandë Jefferson provoi për herë të parë vaferin e atjeshëm dhe pas kësaj bleu menjëherë pajisjen e përgatitjes së tij (waffle-iron). Një varietet çaji në Amsterdam i erdhi kaq shumë për mide amerikanit saqë ai e bleu atë për ta marrë me vete në atdhe.

Ngjallte interes të madh tek ai edhe kuzhina italiane. Për shembull, ai mbante shënim detajet e përgatitjes së gjalpit, dhjathit Parmigiano dhe pastës (makaronave). Por adhurimi që provonte për kuzhinën franceze nuk e ftohu dot në zemrën e tij dashurinë për gatimet amerikane – të tilla si patatja e ëmbël (sweet potato), vezët e pjekura të merlucit, proshuta e Virginias, bizelet e njoma, misri i ëmbël i Virginias.

François Mitterrand: Lufta e ftohtë me kuzhinierët

Në vitin 1981 President i Francës u bë Lideri i Partisë Socialiste François Mitterrand. Në të ngrënë Mitterrand vlerësonte, para së gjithash, ushqimin e thjeshtë e të lehtë. Nuk i duronte dot zbukurimet e tepërta dhe ishte kundër gjithfarë gjërave të stisura e të stërholluara. Po ashtu si dhe në kohërat e mëparshme menuja e drekave dhe darkave nuk diskutohej asnjëherë paraprakisht me Presidentin. Mitterrand duhej të hante atë që i përgatiste kryekuzhinieri.

Gatimi për të duhej të bëhej në përputhje me udhëzimet e dietologut presidencial. Siç kujton kryekuzhinieri Joel Normand, menutë e kësaj natyre ishin të thjeshta, jo të komplikuara dhe përgatitja e tyre nuk kërkonte përpjekje të veçanta. Kështu, në një nga drekat e zakonshme François Mitterrand iu servirën: midhje me salcë qepësh, eskallop salmoni i pjekur në skarë dhe fruta të ndryshme. Ndërsa për mysafirët e tij u përgatitën: sallatë me bishtaja jeshile dhe speca të ëmbël, eskallop salmoni me garniturë perimesh, dhjathë, dardha të pjekura në karamel.

Por, François Mitterrand nuk mund të quhej kurrsesi person i adhuruar prej kuzhinierëve të Pallatit Elysée. Por edhe ai vetë mbante ndaj kuzhinierëve një qëndrim shumë të ftohtë. Mitterrand nuk ishte ndonjë qejfli i madh të ngrënash, meqenëse mjekët nuk i lejonin atij të hante mjaft gjëra. Shumë shpejt Presidenti filloi të shprehë fare hapur pakënaqësinë e vet në tavolinë, duke u ankuar për cilësinë e drekave dhe darkave të veta. Ai vinte në dyshim freskinë e produkteve. Nuk i pëlqente mënyra se si i shërbehej mysafirëve të tij në tryezë. Mitterrand nuk e duronte dot kur atij ia servirnin gatimin të gjithin në tavolinë, meqenëse preferonte ta merrte porcionin e vet në pjatë, siç veprohet zakonisht në restorante.

Përveç kësaj, Presidenti nuk dëshironte të pajtohej kurrsesi me dietën që i imponohej atij nga mjekët. François Mitterrand pëlqente jashtë mase purenë me mëlçi pate, gjë kjo që nuk përkonte aspak me menunë dietike të rekomanduar për të. Mitterrand preferonte shumë mishin e pjekur në skarë me gjak, pëlqente jashtë mase entrecôte (mishin mes brinjve) dhe mishin e qengjit (dashit). Ishte shumë i apasionuar ai edhe pas prodhimeve të detit (fruits de mer). I pëlqenin pa masë atij veçanërisht karavidhet (lobster) e pjekura në skarë.

Pavarësisht nga indiferenca e tij ndaj kuzhinës së Pallatit, më 3 prill të vitit 1987 François Mitterrand e dekoroi megjithatë kryekuzhinierin e vet Joel Normand me Urdhërin e Meritave (Ordre du Mérite). Mbi faktin e marrëdhënieve aspak të mira, që u krijuan midis presidentit dhe kuzhinierëve të Pallatit Elysée, dëshmojnë fjalët e shprehua nga Joel Normand: “Ne ishim gati të dëshpëruar se që këtej e tutje në detyrimet tona hynte tashmë edhe përgatitja e tavolinave private të Presidentit. Për bashkëshorten e tij, përkundrazi, një gjë e tillë ishte shumë më e preferueshme, e këndshme për tu përgatitur. Ajo nuk ishte nazelie në të ngrënë dhe sillej në mënyrë shumë më të natyrshme se sa Mitterrand”.

Nicolas Sarkozy, antialkoolisti që pëlqen makaronat

Një nga udhëtimet e veta të para jashtë shtetit në rolin e Kryetarit të shtetit Sarkozy e ndërmori në SHBA. Presidenti amerikan George W Bush e priti homologun e vet në çifligun e familjes në shtetin Maine. Mysafirin e lartë francez e gostitën me gatimet tradicionale për piknikun amerikan: hot dogs dhe hamburger. Gjatë kësaj mediat shtronin pyetjen: a u përfshi vallë në menunë e drekës edhe një gatim tjetër amerikan? – patatet e skuqura, të njohura më tepër si “French fries”, domethënë “patate të skuqura alla-franceze”. Por në kulmin e mosmarrëveshjeve ekzistuese në ato momente midis Francës dhe SHBA për shkak të luftës në Irak, në Shtetet e Bashkuara tingëllonin thirrjet për ta riemërtuar gatimin në fjalë në “Patate të lirisë” (“Freedom fries”). Kurse gjatë kohës së një prej vizitave të Sarkozy tek Kryeministri i Britanisë së Madhe Gordon Brown Presidentin e Francës e gostitën me meze të përgatitura me salmon skocez, me rosa nga Norfolk të shoqëruara me dardha të nxehta të karamelizuara në brioche. Vërtet, tryeza u përgatit për mysafirin e lartë nga kuzhinieri francez Raymond Blanc, i cili punonte prej kohësh në Mbretërinë e Bashkuar. “Unë do të përpiqem ta tundoj atë me një shishe verë të mrekullueshme franceze, – i tregonte kryekuzhinieri shtypit. – Unë jam në dijeni se Sarkozy nuk është fort i dhënë pas pijeve alkoolike, por nuk mund ti servir unë atij në tavolinë Coca-Cola apo birrë angleze”.

Meqë ra fjala për verën, duhet thënë, se Nicolas Sarkozy vërtet gëzon reputacionin e antialkoolistit. Gazetarët vunë në dukje, se gjatë kohës së zhvillimit të samitit të “Tetëshes së Madhe” në vitin 2009 në Acqueville të Francës Presidenti francez i qëndroi besnik bindjeve të veta dhe nuk piu bile as shampanjë. Në publik Sarkozy zakonisht pi ujë mineral ose lëng portokalli. Bile dhe në dasmën e Nicolas Sarkozy dhe Carla Bruni-t, siç thonë, në vend të shampanjës tradicionale u servir lëng i freskët i saposhtrydhur portokalli.

Në qoftë se do të flasim mbi preferencat gastronomike, atëherë, siç thonë, ish-presidenti Sarkozy pëlqen tej mase makaronat (pasta) e mbushura me karçof, zhardhokë të zinj kërpudhash dhe mëlçi pate të majmur – foie gras. Dihet gjithashtu se Nicolas Sarkozy pëlqen jashtë mase çokollatën.

Charles de Gaulle: Të fshehtat gastronomike të Pallatit Elysée

Xhoel Norman (Joel Norman), i cili ka punuar si kuzhinier në Pallatin Elysée gjatë kohës së drejtimit të 5 presidentëve të Republikës Franceze, në kujtimet e veta ka treguar shumë gjëra interesante mbi preferencat gastronomike të Sharl de Golit (Charles de Gaulle), themeluesit të Republikës së Pestë.

Gjenerali de Gol bile edhe pasi u bë president preferonte të kishte të bënte më tepër me ushtarakët se sa me civilët, ndër të tjera edhe në sferën e gastronomisë. Kryekuzhinier në Pallatin Elysée ai emëroi Rodan Pelua (Rodan Pelois), i cili pat shërbyer më parë në flotën kombëtare.

Sharl de Gol nuk ishte nazeli, njeri sqimatar në të ngrënë. Ndodhte bile që atij ti servirnin edhe perime të konservuara: bizele ose bishtaja. Presidenti dhe bashkëshortja e tij parapëlqenin kuzhinën e thjeshtë. Sipas rregullit të vendosur nga Sharl de Gol, vetë kryekuzhinieri përcaktonte menynë e përditshme në përputhje me stinën e vitit dhe shijet e presidentit. Ja, për shembull, menuja e drekës së përgatitur për Sharl de Golin më 4 nëntor të vitit 1965, në ditën kur ai deklaroi mbi pjesëmarrjen e vet në zgjedhjet presidenciale: si pjatë e parë në tryezë u servir troftë e gatuar ala-béarnaise, më pas kofshë dashi rosto, perime të përziera dhe në fund akullore “Rambolitaine”. Nga verërat u ofruan markat: “Traminet” e prodhimit të vitit 1959, “Château Beauregard” e vitit 1959 dhe shampanjë “Laurent Perrier” e vitit 1955. Dreka u shtua si zakonisht në dhomën e ngrënjes të apartamenteve personale të De Golit. E vetmja gjellë të cilën ai e porosiste shumë shpesh vetë ishte buiabess (bouillabaise) – supa e famshme me peshk dhe prodhime (fruta) deti. Këtë supë presidenti e hante shpesh gjatë ditëve të fundjavës në shoqërinë e të birit, Filipit (Philippe).

Gjenerali vlerësonte në mënyrë të veçantë përpikërinë në orar (punktualitetin). Drekonte ai fiks në orën 13.10 minuta, në darkë ulej në tryezë më 20 e 15 minuta. Kuzhinierëve u duhej të përshkonin gati me vrap distancat e gjata të korridoreve të Pallatit Elysée me qëllim që t’ia servirnin të ngrohta gjellët atij. Por pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e tyre sufleja (soufflet) mbërrinte në tryezë jo ashtu siç duhej të ishte në të vërtetë, kurse supa pure (soupe purée) shpesh herë ftohej gjatë rrugës. Sharl de Gol, në fakt, nuk ankohej kurrë për kuzhinën. Kryesore për të ishte të respektohej në mënyrë rigoroze orari.

Ndërsa gjatë përgatitjes së pritjeve zyrtare organizatorëve dhe kuzhinierëve u duhet të punonin paq e të shkrinin gjithë talentin e tyre, sepse drekat për nder të mysafirëve të huaj apo zyrtarëve të lartë francezë duhej të paraqisnin në vetvete kulmin e rafinimit, finesës dhe luksit të kuzhinës së Pallatit Elysée.

Në menytë e këtyre drekave solemne nuk figuronin kurrë gatime me mish derri, sepse midis mysafirëve mund të kishte edhe njerëz të tillë besimi fetar i të cilëve e ndalon ngrënien e tij. Po për këtë arsye u morr vendimi për tu përmbajtur nga të shtuarin në meze e salca të pijeve alkoolike.

“Gjellëbërësit e kuzhinës së Pallatit Elysée duhej ti shmangeshin çdo mundësie, bile nga më të pabesueshmet, për provokimin e ndonjë skandali diplomatik!”, – shkruan në kujtimet e veta Xhoel Norman (Joel Norman).

Bashkëshortja e presidentit përkujdesej personalisht për përpilimin e menusë së drekave solemne. Ajo i drejtohej shumë shpesh gjatë zgjedhjes së vet librit të famshëm “Guidë në artin e të gatuarit” (“Guide culinaire”) të klasikut të gastronomisë franceze Eskoffje (Escoffier). Kryekuzhinieri, pasi merrte nga lart udhëzimet që nuk viheshin kurrë në diskutim, hapte faqen përkatëse të këtij libri me recetën e duhur, porosiste produktet e nevojshme dhe u jepte udhëzimet përkatëse asistentëve të vet. Numri i mysafirëve të ftuar në këto dreka rrallëherë i kalonte të 100 vetat.

Napoleon Bonaparte, perandori që hante edhe me duar

Siç shkruante shkrimtari francez Aleksandër Djuma (Alexandre Dumas), Hapoleoni nuk ishte hamës, qejfli të ngrënash. Ushtari francez është i vetmi që mund të luftojë me barkun bosh – shprehej me mburrje Napoleoni. Një komfirmim i diskutueshëm ky, por megjithatë duhet thënë se ushtarët e luftërave napoleoniane shpesh herë nuk e kishin aspak të lehtë jetën. Dhe Napoleoni në mënyrë demonstrative ndante me ta vështirësitë e jetës së fushatave ushtarake. Duke ndenjur ulur pranë zjarrit nën qiell të hapur së bashku me grenadierët Perandori piqte në prush patetet e sjella atij prej ushtarëve dhe ua ndante adjutantëve të vet. Kështu thotë legjenda.

Kurse në të vërtetë, Napoleoni bile edhe gjatë fushatave ushtarake hante me takëm prej floriri, në tavolinë kishte gjithmonë bukë të bardhë, mish të mirë viçi apo qengji, oriz, fasule ose thjerrëza, perimet e tij më të preferuara. Pëlqente ai shumë supën e nxehtë dhe mishin e zier të viçit. Perandori e kishte zakon të hante me shumë nxitim, ndërsa në vend të pirunit apo lugës përdorte duart e veta. Mund ta përfundonte drekën Napoleoni me një copë dhjathë Parmigiano ose Roquefort (rokfor-dhjathë blu). Në qoftë se pas buke hante ndonjë frut e merrte atë në sasi shumë të vogël, për shembull, një çerek dardhe apo disa kokrra rrush. Shërbyesi i Napoleonit kujtonte: se nga të gjitha verërat ai pinte vetëm atë të markës Chambertin dhe rrallëherë të pa holluar me ujë, meqenëse nuk e donte fort verën dhe ishte njohës i keq i tyre.

Në vitin 1800 në afërsi të fshatit Marengo në veri të Italisë u zhvillua dyluftimi i ashpër midis trupave franceze dhe atyre austriake. Në historikun gastronomik kjo beteje la edhe një gjurmë në formën e gjellës së famshme të quajtur “Pulë ala Marengo” (piatto ”Chicken Marengo”). Pasi korri një nga fitoret e veta më të shkëlqyera, Konsulli i Parë i Francës Napoleon Bonapart, i cili nuk hante kurrë përpara luftimit, kërkoi që pas betejës ti përgatisnin atij sa më shpejt ndonjë gjë për të ngrënë. Gjelbërsi i tij arriti të gjejë një pulë, disa kokrra vezë, domate, qepë dhe hudhër, kopër e majdanoz, vaj ulliri dhe karavidhe. Kuzhinieri e preu copa-copa pulën me shpatë, i skuqi ato në vaj ulliri, bëri salcën me domate, hudhër dhe qepë, i shtoi pak konjak nga faqorja e Napoleonit, zjeu karavidhet, skuqi vezët dhe i serviri si garniturë mbi copa buke nga racioni i ushtarëve.

Thonë, se kjo gjellë i pëlqeu shumë Napoleonit dhe me marrjen parasysh të arritjes së fitores nga ai në këtë betejë të madhe, gatimin e sipërpërmendur ai filloi ta quajë me fat për veten. Legjenda thotë, se përpara betejës në Vaterlo (Waterloo) Perandorit i servirën në tryezë “Pulë ala Marengo” por kësaj here pa karavidhe. Dhe sikur kjo gjoja u bë shenjë ogurzezë: betejën Napoleoni e humbi.

Njerëzit, të cilët e patën parë të mposhtur Napoleonin në ditët e syrgjynosjes së tij në kujtojnë: se dreka e robit të luftës të anglezëve përbëhej ngandonjëherë nga thjerrëzat e ziera. Rojet angleze talleshin me gjellën e Bonapartit duke thënë se në Angli ata me thjerrëza ushqejnë kuajt. Nga ana e vet kjo gjë e zbaviste fort Napoleonin. Në fakt, duhet thënë, se Pushtuesit të mposhtur nuk i jepej shpesh rasti për t’u argëtuar.

Recetat e preferuara të Barack Obamas

Barack Obama është me siguri mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më në formë. Të paktën për aq sa mund të na kujtohet. Është e njohur dashuria e tij për basketbollin, kohë më parë hoqi dorë nga cigarja dhe mbi të gjitha pëlqen ushqimin e thjeshtë: ushqehet pa e tepruar dhe i beson gjithmonë recetave të përgatitura nga gruaja e tij Michelle, e cila për të “është kuzhinierja më e mirë në botë”. Por çfarë ha Barack Obama? Cilat janë ushqimet e tij të preferuara? Po ato që nuk i pëlqen aspak dhe nuk i fut kurrë në gojë?

Në mëngjes, Presidenti thotë se në tryezë nuk mungojnë kurrë disa lloj frutash të thata (arra, lajthi dhe rrush): një bombë e vërtetë plot energji me efekte shumë pozitive për shëndetin e mbi të gjitha, për lëkurën. Jo më kot, Barack Obama duket aq shumë në formë dhe nuk e tregon aspak moshën që ka dhe në fytyrë nuk i dallohet asnjë rrudhë. Edhe bajamet dhe kikirikët janë pjesë e mëngjesit “presidencial” të Barack Obamas, por në këtë rast Presidenti duhet të jetë më i kujdesshëm ndaj sasisë, duke parë kaloritë që përmbajnë këto ushqime, sidomos të karamelizuara.

Ndryshe nga amerikanët e tjerë, shumë fanatikë ndaj pijeve të gazuara dhe me sheqer, Obama preferon të pijë shumë ujë mineral. Një zgjedhje shumë e mirë kjo, sepse ashtu siç studimet tregojnë të ashtuquajturat “soft drinks” me sheqer të shtuar, kaq të përhapur në SHBA, janë një ndër shkaqet kryesore të obezitetit andej. Edhe perimet e freskëta, mbi të gjitha brokoli dhe spinaqi, janë shumë të pëlqyera nga Barack Obama. Nuk është rastësi që Zonja e Parë, Michelle, ka këmbëngulur kaq shumë për ta mbjellë një pjesë të kopshtit në Shtëpinë e Bardhë me ushqime biologjike, për të cilin kujdeset personalisht dhe që ka qenë një kartë fituese në komunikimin për të përhapur një mesazh pozitiv mbi rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.

Por nuk duhet lënë në harresë ai fakt, se Barack Obama është demokrat i vërtetë. Ai përpiqet ta demonstrojë këtë duke u ushqyer në mënyrë demokratike. Për shembull, gjatë kohës së vizitës së paradokohshme të Presidentit Dimitri Medvediev në SHBA, pas negociatave zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, Obama e çoi homologun e vet rus në një nga lokalet më demokratike të ushqimit social amerikan – në kafe Ray’s Hell Burger, ku përgatisin ushqimin e shpejtë (fast food) më demokratik. Vetë Barack Obama zgjodhi burger me dhjathë chedder, qepë, sallatë, domate dhe kastraveca turshi.

E çuditshme edhe lista e ushqimeve që Presidenti amerikan nuk preferon të hajë (për të cilat kujdeset stafi i tij kur është i ftuar në ndonjë drekë apo darkë zyrtare). Ato që kërkon të shmangë domosdoshmërisht janë majoneza, patatet e skuqura, asparagët dhe rrepat. Në fund, ushqimi italian është një pasion i madh për Barack Obaman. Duke filluar që nga pica. Piceria “Italian Fiesta” në Uashington e klasifikon Presidentin mes klientëve të saj më besnik. Po kuzhina amerikane? Pëlqehet shumë nga të bijat Sasha dhe Malia, të cilat çmenden për pulën e skuqur dhe makaronat me djathë.

Winston Churchill: Puro, uiski dhe guacat e detit

Është vështirë të përfytyrohet figura e kryeministrit britanik Winston Churchill pa puron e tij të famshme. Por bile dhe më shpesh se me puron havaiane Churchilli dilte me gotën e uiskit në dorë. Politikani Anthony Eden në shënimet e veta kujton atë fakt, se si Churchilli pinte uiski me soda (tonik) churchillnë orën 8:45 të mëngjesit. Uiskin ai mësoi ta pijë që në rini e vet, gjatë kohës së luftës anglo-boere. “Kur isha nënoficer gjatë luftës në Afrikën e Jugut uji atje ishte i papijshëm, – tregonte Churchilli. – Që të mund ta pije atë duhej ta përzije me uiski”. Dhe pasionin pas kësaj pijeje ai nuk e tradhtoi gjatë gjithë jetës së vet të gjatë. Mazordomi i tij Norman McGowan kujtonte: “Afërsisht një orë pasi kishte ngrënë mëngjesin unë i vija përpara atij gotën e parë të uiskit me soda. Gjatë gjithë ditës ajo nuk ishte kurrë bosh, por e pinte Churchilli uiskin shumë ngadalë, duke e tërhequr me lezet i shpërqendruar e në mejtime pijen, dhe e shtynte me një gotë dy orë”.

Gjatë kësaj duhet thënë se uiski ishte shumë i holluar me soda, ndërsa kubat e akullit arrinin të shkriheshin plotësisht. Kështu që uiski i binte të ishte tejet i holluar. Vetë Kryeministri britanik e quante këtë përzierje “solucion për shpëlarjen e gojës”. Pas të ngrënit Churchilli preferonte të pinte verë porto dhe brendi. Praktikisht çdo ditë ai i bënte nderimet e merituara shampanjës së preferuar. Gjatë kohës së takimeve të “Treshes së Madhe” në vitet e Luftës së Dytë Botërore Winston Churchill-i provoi konjakun armen dhe atë gjeorgjian. Tregojnë, se më pas Churchilli ia porosiste Stalinit këtë konjak me arka. Po, vërtet, Winston Churchill pinte shumë dhe personat që e njihni nga afër atë dëshmojnë: “Për atë të ngrënit pa pije nuk quhej e ngrënë”. Por zor se do të gjendet ndonjë njeri i cili ta ketë parë gjatë kësaj të dehur ndonjëherë atë.

Në qoftë se Churchill jetoi deri në moshën 90-vjeçare, atëherë lind natyrshëm pyetja: në se duhet vallë sqima, moderimi dhe të përmbajturit në ushqim? Pa përmendur fare këtu cigaret dhe pijet? Thonë, se 20 vitet e fundit të jetës së vet ai e la megjithatë pijen dhe duhanin, megjithëse vazhdonte të pozonte për fotografët me puron e famshme havaiane në dorë. Në të vërtetë, gjendja shëndetësore e këtij jetëgjati linte shumë për të dëshiruar. Ndërsa të ngrënit sir Winstoni e kishte me qejf të madh. Për mëngjes atij zakonisht i servirnin pjepër, omëletë ose vezë të skuqur me proshutë, qofte me mish viçi ose pulë të pjekur, bukë të thekur me marmelatë. Dhe pinte ai gjatë kësaj shumë kafe me kajmak qumështi. Për drekë ai mund të hante fillimisht file peshku (gjuhëz deti), salmon të tymosur dhe karkaleca deti, më pas mish të pjekur dreri të mbushur me pure mishi me dhjamë, mëlçish pate, me salcë prej zhardhok këpurdhash (truffle, tartufo). I pëlqenin shumë Churchill-it edhe guaskat e detit (ai, në përgjithësi, kishte dobësi të madhe për produktet, frutat e detit), roston e viçit të përgatitur me puding Jorkshiri dhe perime.

Në moshën 88-vjeçare Churchilli mund t’i lejonte vetes, për shembull, një drekë të tillë në hotel “Savoy”: në fillim guaska deti me shampanjë, më pas supë-pure me bizele të njoma dhe një gotë sherry. Pastaj atij i servirej në tavolinë file peshku shojzë të Atlantikut Verior me salcë të bardhë dhe verë Puyn Fyuis. Më tej vijonte mishi i viçit alla-Wellington me karrotë dhe patate të skuqura e të përzhitura me verë Bourgogne. Për ëmbëlsirë ai merrte Creme Brulee dhe një gotë verë Madeira. Në fund fare porosiste djathë Stilton me një gotë verë Porto të stazhionuar mirë. Pas kafes degustimi i të gjitha këtyre mrekullive të artit të kuzhinës kurorëzohej nga ai me puron havaiane dhe një gotë konjak. Por gjellë kryesore në banketet e veta Winston Churchilli quante megjithatë bisedën e mirë, ndërsa bashkëbiseduesin më interesant veten e vet.

Kennedy e përfundonte drekën gjithnjë me një puro të mirë kubane

Në mëngjesin e 22 nëntorit të vitit 1963 Presidenti i SHBA John Fitzgerald Kennedy mbërriti me avion në Dallas, shteti Teksas. Gjatë rrugës ushtuan të shtënat fatale që morrën jetën e Presidentit 35-vjeçar amerikan. Misteri i vrasjes së John Kennedy nuk është zbuluar akoma deri më sot e kësaj dite. Ndërkohë që duhet thënë se mbi preferencat gastronomike të John Kennedy dihen shumë më tepër gjëra.

Të premten, më 20 janar të vitit 1961 pas ceremonisë së inaugurimit të John Fitzgerald Kennedy në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në Kapitol u mbajt dreka e rastit. Në menunë e saj figuronin: supë-pure me domate dhe kokrra mistri të grira imët, mish pikant gaforre deti, lobster (karvidhe) nga New England i zierë dhe i mbushur, i servirur me gjalp të tretur, brinjë viçi të gatuara sipas traditës së Teksasit në lëng të vet, bukë e sapo dalë nga furra me hudhër, loje të ndryshme ëmbëlsirash – pasta, kek dhe kafe.

Kennedy nuk mund të quhej kurrsesi hamës. Ai i jepte më tepër preferencë politikës se të ngrënit. Shpesh herë atij duhet ti kujtonin se erdhi koha e drekës apo e darkës.

Thonë se Presidentit Keneddy i pëlqente kuzhina franceze. Dhe kjo mund të jetë plotësisht e vërtetë, meqenëse pikërisht gjatë drejtimit të John Kennedyt shef kuzhine i Shtëpisë së Bardhë u bë një francez. Ndërsa në qoftë se do të flasim për kuzhinën franceze, atëherë duhet pranuar se dominimit të saj në Shtëpinë e Bardhë i shërbeu në një masë të madhe Zonja e Parë e Amerikës Jacqueline Kennedy.

Në mëngjes John Kennedy preferonte lëng portokalli të freskët, vezë-pashot (vezë e zier pa lëvozhgë) në bukë të thekur, proshutë e skuqur mirë, marmelatë (xinxife), qumësht dhe kafe. Afërsisht i tillë ishte dhe mëngjesi i fundit i Presidentit amerikan në hotelin “Texas” në ditën e vrasjes së tij: Presidentit i sollën lëng portokalli të freskët, bukë të thekur, kafe dhe vezë rrufkë (surbull).

Për drekë Presidenti zakonisht preferonte të hante si pjatë të parë supë peshku të trashë të gatuar sipas traditës së New England. Dhe kjo nuk është aspak për tu habitur: me New England dhe kuzhinën e saj të mrekullueshme të peshkut është e lidhur ngushtë familja Kennedy. Presidenti vdiste për supën e Bostonit me molusqe dhe shpesh herë i lutej kuzhinierit të Shtëpisë së Bardhë t’ia gatuante atë. Gjithashtu ai pëlqente shumë frutat e detit dhe bathët e pjekura sipas traditës së Bostonit.

John Kennedy njihej për pasionin e vet ndaj guaskave të detit. Ai, po ashtu si dhe përfaqësuesit e tjerë të klanit Kennedy, ishte klient i përhershëm i lokalit të famshëm me histori 200 vjeçare të Bostonit “Union Oyster House”.

Për darkë Kennedy kishte qejf të hante biftek qengji, steak, pulë të pjekur apo gjel deti, pure patatesh. Gjatë darkës familjare pjata më e preferuar e John Kennedy-t ishte pula me estragón.

Siç dëshmojnë kuzhinierët që kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë, Presidentit Kennedy i pëlqenin edhe kekët-muffin. Në qoftë se servireshin në tryezë ëmbëlsira, ai preferonte ndër të gjitha ato çokollatën.

Edhe një diçka tjetër: kishte qejf ta përfundonte drekën Kennedy me një puro të mirë kubane. Tregojnë, se përpara se të nënshkruante dokumentin mbi vendosjen e embargos për tregtinë me Kubën revolucionare, Presidenti John Kennedy iu lut sekretarit të vet që ti blinte atij një sasi të madhe purosh kubane rezervë. Dhe e nënshkroi ai dokumentin vetëm pasi u blenë purot. Më vonë, siç flitet, rezervat e purove kubane për Presidentin amerikan John Kennedy plotësoheshin në mënyrë sekrete nëpërmjet ambasadës sovjetike.

Franklin Delano Roosevelt: Haviar, kafe, hot dogs

Gjatë kohës së zhvillimit të Konferencës së Teheranit në vitin 1943 në një nga takimet midis Stalinit dhe Churchillit plasi një debat i fortë në lidhje me hapjen e Frontit të Dytë në Evropë. Stalini u ngrit me vërtik nga vendi i nervozuar dhe bëri të largohej në mënyrë demonstrative nga salla. Në atë moment ndërhyri për ç’tensionimin e atmosferës Presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt duke deklaruar me një ton pajtues: “Ne jemi shumë të uritur. Unë propozoj ta ndërpresim mbledhjen tonë me qëllim që të marrim pjesë në drekën, në të cilën na ka ftuar sot mareshal Stalini”.

Gjatë drekës “Treshen e Madhe” e gostitën me meze, lëng mishi me byreçka dhe biftek. Gjakrat e ndezura u ftohën gjatë kohës së të ngrënit dhe bisedat që u zhvilluan në tavolinë kishin të bënin ekskluzivisht me temën gastronomike. Roosevelti u interesua të mësonte nga Stalini veçoritë e kuzhinës kaukaziane. Stalini kujtoi, se gjatë mëngjesit të ditës së kaluar Rooseveltit i pëlqeu veçanërisht mishi i salmonit, dhe tha: “Unë dhashë urdhër që të sjellin këtu ku jemi mbledhur ne një peshk jo të madh dhe kam dëshirë t’jua dhuroj Juve, zoti President”. Në atë kohë katër ushtarakë shtatlartë e me trupa muskulozë sollën në dhomë një peshk gati dy metra të gjatë e gjysmë metri të gjerë, të sjellë në Teheran nga Bashkimi Sovjetik me avion special. Ndërsa gjatë kohës së zhvillimit të Konferencës së Jaltës në vitin 1945 Franklin Rooseveltit i pëlqeu shumë supa me lakër turshi (arme) e quajtur rusisht “shi” dhe ai kërkoi t’ia servirin këtë “supë ruse” çdo ditë atij.

Jo rrallëherë Roosevelt merrte si dhuratë nga Bashkimi Sovjetik havjar të zi. Ndërsa nga delikatesat e tjera ai pëlqente shumë edhe pure mëlçish. Por në tërësi shijet gastronomike të Franklin Roosevelt dhe pjesëtarëve të familjes së tij ishin tejet modeste. Koha, gjatë së cilës President i SHBA ishte Roosevelt, nuk qe aspak e thjeshtë për Amerikën: Depresioni i Madh dhe Lufta e Dytë Botërore lanë gjurmën e vet të thellë në jetën e të gjithë amerikanëve. Dhe Presidenti Roosevelt nuk bënte përjashtim, prandaj dhe menuja e tij pasqyronte në mënyrë mëse evidente atë kohë. Për pritjen që do të shtrohej me rastin e inaugurimit në mars të vitit 1933 Franklin Roosevelt me bashkëshorten planifikonin të shtronin një tryezë suedeze (buffet breakfast) për disa qindra mysafirë. Por në momentin e fundit gruaja e Presidentit të ri, Eleanor Roosevelt, anuloi pritjen në shenjë nderimi të kujtimit të senatorit Thomas Walsh, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë. Por ama kur Franklin Roosevelt u zgjodh për herë të dytë në postin e Presidentit amerikan në vitin 1937, për 600 mysafirë u dha një pritje, në të cilën ata i gostitën me kafe të nxehtë, senduiçe dhe torta.

Aleksandri i Madh, pushtimet që lanë gjurmë edhe në historinë e artit gastronomik

Fuqia e madhe e krijuar nga Aleksandri i Maqedonisë lindi qytetërimin e ri helen. Lanë gjurmë të pashlyeshme pushtimet e Aleksandrit të Madh edhe në historinë e artit gastronomik. Pikërisht atij i detyrohet Evropa njohjen e vet me shumë fruta të panjohura për të deri në atë kohë. Pas fushatave ushtarake të Aleksandrit, nga Lindja në Greqi dhe Itali u sollën kajsitë. Nga India në rajonin mesdhetar u soll qitro. Dhe, me sa duket, Evropianët e parë që u njohën me bananet ishin luftëtarët e ushtrisë së Aleksandrit të Maqedonisë, të cilët e provuan dhe e vlerësuan sipas meritave këtë frut të paparë ndonjëherë gjatë kohës së fushatës së tyre ushtarake indiane të vitit 327 para erës sonë.

Vetë mbreti i ri Aleksandër shquhej, po ti besohet shkrimeve të autorëve antikë, për qëndrimin e vet tejet të përmbajtur, të kujdesshëm ndaj ushqimit. Zakonisht Aleksandri e fillonte ditën me bërjen e flijimeve për perënditë dhe menjëherë pas kësaj ulej të hante mëngjesin. Në vendqëndrimet e veta mbreti kryente ritin e të larit dhe të lyerit të trupin me vajra aromatikë, pikërisht në këtë kohë ai pyeste personat që merreshin direkt me kuzhinierët apo bukëpjekësit nëse është përgatitur gjithçka e nevojshme për drekën apo jo. Ishte vonë dhe errur tashmë jashtë kur Aleksandri i shtrirë në shtrat fillonte të hante drekën. Gjatë kohës së të ngrënit mbreti shfaqte përkujdes të habitshëm ndaj atyre që ishin ulur në sofër me të dhe vërente me shumë vëmendje që askush nga ata të mos mbetej padrejtësisht i fyer dhe i pasejdisur ashtu siç duhet.

Aleksandri ishte indiferent ndaj delikatesave dhe gatimeve të sofistikuara, të shijshme. Shpesh herë kur atij i sillnin fruta të rralla apo peshk, ai të gjitha ato ua ndante shokëve të tij pa lënë asgjë për vete.

Por drekat e gostitë që shtronte Aleksandri ishin gjithmonë të mrekullueshme dhe shpenzimet që bëheshin për to vinin duke u rritur proporcionalisht me fitoret ushtarake të tij. Pikërisht për shkak të pasionit të zjarrtë të Aleksandrit të Maqedonisë ndaj organizimit të gostive, ai filloi të gëzojë namin e njeriut shumë të dhënë pas verës. Historianët e kohërave antike konfirmonin, se në të vërtetë gjatë gostive Aleksandri më tepër fliste se sa pinte dhe çdo kupë e shoqëronte patjetër me një fjalim të gjatë.

Në qoftë se do t’i besohet legjendës, pas gostisë shumëditore në qytetin e lashtë të pushtuar persian Persepolis, kur pijet derdheshin rrëke, të nxitur nga hetaera (kurtizania) Thais e Athinës Aleksandri me shokët e tij të dehur keq i vunë zjarrin Pallatit të mbretërve të Persisë. Ka ruajtur historia në kujtesën e vet edhe raste të tilla, kur Aleksandri i Maqedonisë thërriste në gosti miqtë dhe prijësit e vet ushtarakë dhe u propozonte atyre të masnin forcat në të pirë, duke i premtuar fituesit si shpërblim kurorën e vet. Më shumë se të gjithë arriti të pijë Promachus (karakter i mitologjisë greke – i biri i Parfenopeya dhe nimfës Klima (Klymene). Vërtet, pas 3 ditësh fituesi vdiq. Përveç tij vdiqën edhe rreth 40 pjesëmarrës të asaj gostie me të pira pa karar.

Ronald Reagan: Të gjitha ndryshimet e mëdha në Amerikë fillojnë rreth tryezës së darkës

Në shkurt të vitit 2011 Shtetet e Bashkuara kremtuan 100 vjetorin e ditës së lindjes të Presidentit të 40-të Ronald Wilson Reagan. Me rastin e këtij jubileu pastiçierët nga Kalifornia (në kohën e vet Reagan ka qenë Guvernator i këtij shteti) bënë një “tortë presidenciale” gjigande.

Ajo peshonte rreth 180 kilogramë, për përgatitjen e saj u deshën 45 kilogramë miell, 90 kilogramë sheqer dhe sheqer pluhur, 54,4 kilogramë gjalpë dhe 400 vezë. Torta u zbukurua me figurën prej çokollate të një shqiponje kryebardhë që peshonte 23 kilogramë, kurse shtresa e sipërme e “kulaçit presidencial” ishte spërkatur me shurup prej xhelatine bathësh (një lloj shumë i përhapur marmelate – jelly beans, pra, xhelatinë bathësh).

Reaganit i pëlqente shumë festimi i ditëlindjeve, preferonte jashtë mase çokollatën dhe mbante përherë rezervë në frigoriferin e aeroplanit të vet, si minimum, një tortë me kakao.

Ndërsa delikatesa më e preferuar e tij ishin jelly beans. Me ndihmën e tyre ai përpiqej të përmbante veten nga pirja e cigares pasi la duhanin. Reagan dhe bashkëshortja e tij zakonisht e hanin bashkë mëngjesin në orën 7. 45. Zonja e Parë e Amerikës i kushtonte vëmendje shumë të madhe menysë me gatime të shëndetshme, gjellëve me përmbajtje minimale yndyre dhe kolesteroli. Dita për çiftin presidencial fillonte me flakës prej krunde drithërash, qumësht të skremuar, fruta të freskëta dhe kafe pa kafeinë. Vezët për mëngjes atyre u servireshin 1 herë në javë – rrufkë (surbull) – vezë të ziera pa lëvozhgë dhe omëletë. Dhe vetëm nga një kokërr për çdo lloj. Presidenti e plotësonte mëngjesin edhe me një copë bukë të thekur ose të ashtuquajturin kek-muffin (kjo është një lloj buke e pjekur shtëpie në formë të veçantë me miell të bluar ashpër gruri, miell misri, miell thekre ose flakes tërshëre, brumit të së cilës i shtohen fruta të freskëta ose të thara.

Reagan preferonte gatime jo të sofistikuara me të cilat ishte mësuar të ushqehej në të kaluarën. Atij i jepnin një kënaqësi të vërtetë gatime të tilla si rulet mishi (meatloaf) apo supa hamburgeze. Kjo është një supë shumë e thjeshtë për gatim, e cila bëhet me lëngun e mishit të viçit, me mish të grirë viçi pa dhjamë, domate të freskëta dhe misër. Serviret ajo në tavolinë me një copë buke të thekur franceze dhe njihet aktualisht me emrin “supa e Ronald Reaganit”. Një pjatë tjetër e preferuar e Presidentit ishin makaronat me dhjathë. Në përbërjen e salcës, me të cilën piqeshin makaronat në furrë, hynin këto ingrediente: vezët, gjalpi i freskët, qumështi, dhjathi cheddar dhe mustarda.

Presidenti zakonisht drekonte në Kabinetin Oval të Shtëpisë së Bardhë duke i dhënë preferencë gjatë kësaj gatimeve jo të rënda për stomakun, për shembull, supës, bukës dhe ëmbëlsirave të lehta. Atij i pëlqente shumë supa italiane minestrone e shoqëruar me sasi të madhe buke italiane të sapo pjekur, supa me thjerrëza e me salçiçe të prera në copa të vogla, supa me bathë të zeza dhe çorba skoceze me elb të zhveshur (bollgur elbi).

Pasioni për ushqimin e shëndetshëm nuk do të thoshte aspak se Ronald Reagani dhe Nansy Reagan nuk pëlqenin mishin e gatuar në mënyra nga më të ndryshmet. Në familjen e Reaganit preferonin shumë ragúnë me mish pule, por pjata më e preferuar ishte megjithatë rosto apo bifteku i prerë në copa të vogla. Ngandonjëherë familja e Çiftit të Parë të Amerikës i lejonte vetes kënaqësinë e të ngrënit për darkë të ndonjë bifteku të mirë me pudding Yorkshire. Pëlqenin ata shumë edhe biftekun (steak) kalifornian me salcë të përgatitur me speca djegës (chili). Por veçanërisht shumë i pëlqente Reaganit peshku-shpatë i pjekur në skarë dhe i spërkatëur me vaj limoni.

Gjatë largimit nga Shtëpia e Bardhë, në janar të vitit 1989, Ronald Reagan mbajti fjalën e lamtumirës, në të cilën shprehu frazën e mrekullueshme mjaft domethënëse: “Të gjitha ndryshimet e mëdha në Amerikë fillojnë rreth tryezës së darkës”. Presidenti kishte parasysh domosdoshmërinë e bisedave të përditshme midis prindërve dhe fëmijëve. Një ide jo e keqe kjo, që ka të bëjë, sigurisht, jo vetëm me amerikanët.

Në trend Botë

Më shumë
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
Ukrainasit shkatërrojnë radarin e sistemit raketor rus S-400 që kushton qindra miliona dollarë, e goditën direkt me HIMARS-in amerikan

Ukrainasit shkatërrojnë radarin e sistemit raketor rus S-400 që kushton qindra miliona dollarë, e goditën direkt me HIMARS-in amerikan

Evropa
Ushtari rus filmon momentin kur sistemi artilerik i Kremlinit hidhet në erë në Ukrainë

Ushtari rus filmon momentin kur sistemi artilerik i Kremlinit hidhet në erë në Ukrainë

Evropa
I gjallë, por pa njërën dorë: Hamasi publikon një video të izraelito-amerikanit të marrë peng gjatë sulmeve të 7 tetorit

I gjallë, por pa njërën dorë: Hamasi publikon një video të izraelito-amerikanit të marrë peng gjatë sulmeve të 7 tetorit

Botë
Biden nënshkruan masën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

Biden nënshkruan masën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

Botë
Tentuan të arratiseshin përmes një “tuneli”, të burgosurit në Venezuelë u përballën me një situatë të padëshiruar kur arritën jashtë

Tentuan të arratiseshin përmes një “tuneli”, të burgosurit në Venezuelë u përballën me një situatë të padëshiruar kur arritën jashtë

Botë
Kalo në kategori