LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon shitja e karburanteve jocilësore

Vazhdon shitja e karburanteve jocilësore

Karburantet që shiten në vendin tonë janë me cilësi më të ultë se ato që shiten në rajon. Njëkohësisht në këtë fushë bëhen keqpërdorime të shumta edhe sa i përket sasisë , thonë qytetarët. Njëri thotë se për këtë arsye, shpenzimet në Kosovë janë më të mëdha, krahasuar me vendet e rajonit.

“Në përgjithësi mendoj se derivatet, edhe nafta edhe benzina janë më pak cilësore se në shtetet përreth nesh. Sa herë kam qëndruar në Mal të Zi, në Bosnje, apo në Maqedoni, kam pasur përshtypje se për shkak të cilësisë, makina shpenzon më pak derivate. Mendoj se këtu kontrolli është shumë i dobët, prandaj mendoj se janë harxhimet më të mëdha”, thotë një qytetar.

Një tjetër qytetar shfaq dyshime rreth sasisë së derivateve që shiten dhe peshës së tyre reale.


“Mua më ka ndodhur vetë. Ma merr mendja se bëhen mashtrime. Nuk do t’i përmendi pompat me emër por ka pasur rast kur në një pompë rezervuari m’i ka zënë mbi 80 litra, kurse në një tjetër më pak, pra ndodhë që vjedhin”.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Nazmi Bytyqi, thotë se në Kosovë importohen karburante cilësore, në përputhje me udhëzimin administrativ të ministrisë së tregtisë të nxjerrë në vitin 2011, për përmbajtje të kufizuar të sulfurit deri në 10 ppm. Por, sipas tij, në Kosovë futen karburante edhe përmes rrugëve joligjore, e njëkohësisht në cilësi ndikon edhe pastrimi i depozitave,transmeton RTK.

“Kemi apeluar që të ketë cilësi dhe sasi, që konsumatori të jetë i kënaqur me cilësinë dhe sasinë, atë sasi që e paguan edhe ta merr. Ne qoftë se këtu bëhet shkelja, atëherë janë sanksionet shumë të mëdha, sa zbatohen janë kompetencë e ministrisë”.

Kryeinspektori i tregut në Ministrinë e Tregtisë, Ruzhdi Shehu, tha për Radio Kosovën, se të gjitha karburantet që importohen, i nënshtrohen kontrollit kufitar, dhe se nuk futen në Kosovë pa i përmbushur kriteret ligjore. Por ai pranon se ka probleme në këtë fushë.

“Kemi pasur probleme edhe në pjesën veriore që është futur në rrugë ilegale, apo në pjesë tjera të vendit, por mund të them se kemi pasur edhe përzierje në tregun e brendshëm”, tha Shehu.

Shehu thotë se kontrollin në tregun e brendshëm po e bëjnë trupat inspektuese profesionale, të cilat po bëjnë verifikimin e cilësisë nëpër pikat e karburanteve dhe krahasuar me vitin e kaluar, ka përmirësim në këtë fushë.

“Vetëm këtë vit kemi 33 lëndë, nga 500 inspektime të verifikimit të cilësisë në Kosovë”.

Shehu sqaron se lëndët e ngritura në gjykatë kanë të bëjnë kryesisht me tejkalimin e sasisë së sulfurit, që ka ndikime negative në mjedis. Ndryshe janë rreth 40 kompani të licencuara për import të karburanteve. Ndërkaq janë dy trupa të konformitetit që bëjnë verifikimin e cilësisë. /RTK/