LAJMI I FUNDIT:

Vdekja e kulturës: Orwell, Huxley dhe shqiptarët që fluturojnë në qiell!

Vdekja e kulturës: Orwell, Huxley dhe shqiptarët që fluturojnë në qiell!

Orwell kishte frikë se e vërteta do të fshihej, e Huxley kishte frikë se ajo do të hidhej në detin e parëndësisë. Të parën shqiptari e vuajti në komunizëm, e të dytën po e shijon në demokraci!

Emil Loteanu, në vitin 1975 realizon një nga filmat më të shikuar në ish-Bashkimin Sovjetik, që bazohej në rrëfime të themeluesit të socrealizimit, Maksim Gorki. Titulli “Tabоr uhоdit v nеbо”, në përkthimin fjalë për fjalë nga rusishtja, i bie disi si “Kampi i ciganëve shkon në Parajsë”. Ndërkaq, në ish-Jugosllavi, në serbokroatishte titulli u përkthye me këtë kuptim: “Ciganët fluturojnë në qiell”.


Diktatura dhe Orwelli

Ngjarja zhvillohej në Besarabinë e shekullit XIX, që ishte nën sundimin austro-hungarez. Ciganët aty ishin metaforë për njerëzit që jetojnë ndryshe nga shumica – në këtë rast ndryshe nga vlerat që impononte një sistem perandorak. Ndërsa, kampi – apo kolektivi si simbol komunist – mund të perceptohet edhe si virtyt, si shmangie nga tundimet e imperializmit materialist të Perëndimit.

Jeta e ciganëve, në film, pasqyrohet me stereotipat e rëndomtë – “as në tokë e as në qiell”. E, pasi ky realizim mund të cilësohet edhe si romancë muzikore, kjo shpërfaqte edhe shpirtin e tyre prej sevdallinjve.

Në film ka edhe magji, besëtytni, hajni, tradhti… brenda kolektivit, gjëra këto që komunizmi nuk i lejonte e as nuk i pranonte si pjesë të ideologjisë së vet. Mirëpo, dilemat binin poshtë kur dihej se gjithçka bazohej tek vepra e “pakontestuar” e Gorkit – djalit të një familjeje të varfër që kishte humbur si i ri babanë që i takonte klasës së nëpërkëmbur punëtore, që u detyrua të bënte çfarëdo pune për të mbetur gjallë, që arrestohet e bie disa herë në burgjet cariste (ku, më 1892, shkruan tregimin “Makar Chudra” tek i cili bazohej filmi) dhe, kryesorja, që mbështeti bolshevizmin e në fund Stalinin. BRSS e bëri filmin, madje shumë të “suksesshëm”, pasi për të janë shitur afro 65 milionë bileta.

Nuk është mirë – sidomos në aspektin psikologjik – të jesh as në tokë e as në qiell. Kjo vlente edhe për personazhet e këtij filmi që flet për një dashuri fatale mes dy botëve të papërputhshme: një shpirti të lirë të një femre dhe një hajduti temperament. Prandaj, “Ciganët…” në fakt shpërfaqnin një realitet të hidhur, sepse të mos ecësh për toke është tragjedi individuale, siç ishte tragjedi kolektive sistemi komunist që fliste për një botë ideale në një shoqëri të survejuar e tërësisht militare – gjë të cilën e kishte parashikuar George Orwell në veprën e tij “Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër” (shkruar më 1948)!

Në tragjedi të tilla, një regjisor me vlera mesatare që pakkush sot e njeh (Emil Loteanu), korr suksese të mëdha dhe çmohet në vend, e jo një prej më të mëdhenjve në historinë e kinematografisë botërore, si Andrei Tarkovsky.

Demokracia dhe Huxley

Pasojat e kësaj tragjedie po i vuajnë sot të gjitha shtetet postkomuniste, sidomos ato që dolën nga shtetet e mëdha – Jugosllavia e BRSS – me çka tkurret konkurrenca e dijes dhe e vlerave. Prandaj, ende nuk dihet saktë se çka është iluzion e çka reale!

Derisa kinematografia amerikane – e frikësuar nga komunizmi në ekspansion – në vitet ’50 të shekullit të kaluar merrej me tema eskapiste, e me filma muzikorë, të njëjtën e bënte BRSS më vonë me ciganë, me këngë e valle. Sepse, sistemi komunist ishte i vetëdijshëm se nuk mund të mbijetojë shumë gjatë me dhunë e censura, pa reforma e pa ndryshime që do të përmirësonin mirëqenin e popullit. Ndaj, Gorki – si simbol i dikurshëm që mbështeste shtresat e margjinalizuara – rikthehet në ekranin e madh si një iluzion eskapist.

Në fakt, Gorki, njëjtë si komunizmi, vet ishte iluzion. Njeriu që nuk e duronte dhunën bolshevike në kohën e Leninit (për çka internohet), vdes i tjetërsuar si mbështetës i doktrinës mizore staliniste. Ai madje kishte humbur shpresën se liria do të mbizotërojë në BRSS. Ndaj, iu adaptua realitetit që iu imponua. Madje, nënshtrimin e tillë – si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Sovjetikë – ua “mbolli” të gjithë kolegëve të tij. Me ndihmën e tij dhe të stilit të tij letrar, pos gazetarit edhe shkrimtari u bë mjet i propagandës.

Kjo situatë – se shkatërrimi i shpirtit do të vije nga shtypja – ishte parashikuar nga Orwelli. Por, derisa në diktaturën komuniste përmes survejimit, gënjeshtrave e izolimit populli mashtrohej për realitetin brenda dhe jashtë sistemit, me atë që njihet si botë oruelliane, në demokraci kjo bëhet ndryshe: përmes mediave sociale dhe “bombardimit” me lajme – botës haksliane, parashikimit futurist të shkrimtarit Aldous Huxley në veprën “Më e mira e botëve” (botuar më 1932).

Mediat sociale dhe iluzioni për të vërtetën

Antony Mayfield, duke përshkruar mediat e sotme sociale, ka thënë se ato paraqesin një grup që inkurajon kontributet dhe reagimet nga secili. Pra, në kohën e mediave sociale, secili përdorues interneti mund të jetë gazetar (Eric Scherer do të thoshte mediokër që nuk do të mund ta gjente veten në media serioze). E, është pikërisht kjo mundësi e kohëve moderne që po krijon kakofoni informimi, kaos në besueshmëri dhe iluzion për të vërtetën!

Kjo vërehet më së miri nga hulumtimet e bëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një studim të vitit 2012, të kryer nga Harris Interactive, thuhet se 98 për qind e amerikanëve nuk kanë besim në internet. Më 2014, Pew Research Center bën një analizë për privatësinë dhe vjen me rezultatet se 91 për qind e amerikanëve e dinë se e kanë humbur kontrollin ndaj të dhënave personale. Mediat sociale këtu dalin kampionë të mosbesimit.

Një studim i bërë më 2016 nga Digital Content Next, tregon se 43 për qind e përdoruesve në rrjetet sociale nuk e dinë se nga ku janë shfaqur lajmet që kanë lexuar. Ndërkaq, një tjetër i kryer po ashtu në këtë vit, nga American Press Institute, thotë se mediat sociale e kanë nxitur aq shumë dyshimin e amerikanëve në media, sa që vetëm gjashtë për qind e tyre kanë besim te to; 52 për qind kanë pak besim; dhe, 41 për qind nuk kanë fare. Sipas studimit, shumica informohet nga rrjeti Facebook, por vetëm 12 për qind e përdoruesve të këtij rrjeti kanë besim tek lajmet e postuara aty (besueshmëria, me 18 për qind, vlen për lajmet e postuara në Twitter).

Shembull i freskët i mosbesimit vjen nga Gjermania, ku një portal që anon kah e djathta ekstreme, publikon dhe interpreton lajmin se gjoja kancelarja gjermane Angela Merkel, për Ramazan ka liruar restorantet nga tatimet, që myslimanëve t’ju ofrohet ushqimi i lirë. Për të shmangur përgjegjësinë – por për të arritur qëllimet politike kundër kancelares dhe politikave të saj ndaj të huajve – si burim “besueshmërie” merren portalet arabe që, logjikisht, nuk kanë gjasa të jenë më të informuara se gjermanët për rrjedhat në shtetin e tyre.

“Bombardimi” me informata

Pra, tërë bota është në një kaos informimi – “as në tokë e as në qiell”. Kur kjo ndodh në shtetet si SHBA-të apo Gjermania, që shquhen për gazetari vërtetë profesionale, kjo e keqe është më e pranishme në vendet të vogla si Kosova e ku, vetëm në një vit – nga janari 2015 e deri në janar 2016 – janë regjistruar 59 portale (numri i përgjithshëm i tyre, i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, është 84). Në një shtet me popullatë të vogël, me mundësi të vogla buxhetore (mungesë të duhur stafi e sidomos profesionistësh), si munden ato të balancojnë faktet, të verifikojnë burimet dhe të peshojnë vlerën e lajmit? Pastaj, a mund të kryhet puna si duhet në “maninë” për sasi e jo cilësi të lajmeve? Thjeshtë, a po lexohen ato lajme brenda vetë “kolektivit”?

Derisa më herët, në ditoret e Kosovës me redaksi të mëdha, publikoheshin më së shumti 100 lajme, sot postohen deri në 600 në një ditë. E, mos të flasim për lajmin mbi lajm në rrjetet sociale, interpretimet e ngjarjeve, titujt “me karrem” (clickbait) postimet individuale, komentet…

Kulturologu Neil Postman e kishte paraparë rrezikun nga “bombardimi” me informata, sidomos në televizionet që kishin filluar transmetimet 24-orëshe (madje veç me lajme). Në veprën e tij “Duke u zbavitur për vdekje” (botuar më 1985), ai përmend rastin e dramaturgut George Bernard Shaw që sheh në Broadway një shpallje në dritat e neonit. “Do të ishte e bukur”, ka thënë ai, “sikur të mos dije të lexosh”! Këtë rast Postman e përmend për të tërhequr një paralele me kohëzgjatjen e një sekuence televizive, që është 3.5 sekonda, e që bën që syri i njeriut të mos pushojë. Kjo ndikon që shikuesi të shmanget nga realiteti, ta reduktojë kapacitetin mendor dhe të jetojë me iluzionin për njohjen.

Prandaj, në këtë kohë, me gjithë këto mediume në Kosovë, me qindra e qindra lajme që postohen, populli mbetet prapë i painformuar dhe i keqinformuar. Interneti, si një dhuratë që iu ofrua njerëzimit, po bëhet mjet i mosbesimit dhe i largimit të njerëzve nga realiteti. E, kur teknologjia keqpërdoret, ndodh e keqja për të cilën Charlie Chaplin tek “Diktatori i madh” (film i vitit 1940) tërhiqte vërejtjen: “E kemi zhvilluar shpejtësinë, por u mbyllëm në vete. Makineria që jep begati, na ka lënë nevojtarë. Dija na ka bërë cinikë… Më shumë se për makinerinë, kemi nevojë për njerëzillëk”!

Zbavitja dhe “Sindroma Hajdar K. Shtimja”

Në këtë kaos, padyshim përfituesi më i madh është pushteti. Eskili – dramaturg i Greqisë së lashtë – ka thënë se “në luftë, e vërteta është viktima e parë”. E, viktima sot shpejt harrohet, pasi proverbi i vjetër – që i atribuohet më së shumti gazetarisë – se “çdo mrekulli zgjat vetëm tri ditë”, tash ka rënë në tri orë. Kështu, përderisa në literaturë përmendet “Rrengu i madh i Hënës” – një seri e gjashtë shkrimeve të ilustruara, të publikuara më 1835 në ditoren njujorkeze The Sun, për “zbulimin” e jetës dhe të civilizimeve në Hënë nga gjoja shkencëtari dhe astronomi i njohur anglez i asaj kohe, John Herschel – kujt i kujtohet shakaja e janarit të këtij viti, e mjekut specialist që jeton në Francë, Ilaz Hysaj, për “letrën” që një prej njerëzve më të fuqishëm në botë, Mark Zuckerberg (bashkëthemelues dhe shef ekzekutiv i rrjetit social Facebook), ia ka “dërguar” shqiptarit të Kosovës Hajdar K. Shtimja? Në rastin e parë të studiuar, ditorja The Sun arriti kulmin e tirazhit; në rastin e dytë të harruar, “Hajdar K. Shtimja” – “letra” që u plasua si e vërtetë në mbi 30 portale – ishte ndër “lajmet” më të lexuara.

Rrengu i Hysajt ka shtyrë gazetarin dhe studiuesin Daut Dauti, të thotë se “Sindroma Hajdar K. Shtimja”, duhet të futet në fjalorin e gjuhës shqipe me këto sqarime: “Grup i simptomave që paraqiten së bashku dhe që karakterizojnë sëmundjen (zakonisht mentale) të mediave shqiptare e cila rezulton në nevojën apo dëshirën për të botuar informata të paverifikuara; Dëshirë e paqëllimtë për të gënjyer për shkak të mungesës së profesionalizmit; Dëshirë për të gënjyer me qëllim që te lexuesi të krijohet një mendim i caktuar në mënyrë që nga kjo të përfitojnë grupet e dyshimta politike/mafioze/afariste/religjioze etj.”!

Pra, gjithçka sot është zbavitje. Hysaj u zbavit në Facebook, e populli me 150 mijë probleme u zbavit me “faktin” se “Patroni i Facebook-ut i përkrah shqiptarët” – dhe se për këtë “u çmend Serbia e Rusia” – duke i “kompensuar” problemet, siç ka thënë vet autori i rrengut, me mbi 150 mijë pëlqime (Like) në Facebook!

Seksi, alkooli, interneti dhe llafet

Për të gjitha këto, Postman – i lindur dhe i rritur në një shoqëri demokratike – me të drejtë ishte mbështetës i “profecisë” haksliane. Sepse, përderisa Orwell paralajmëronte se njerëzit do të kaplohen nga shtypja e jashtme, Huxley parashikonte që njerëzit do ta shtypin veten duke adhuruar teknologjitë që zhbëjnë kapacitetet e të menduarit; Orwell kishte frikë nga ata që do të ndalonin librat, por Huxley kishte frikë se nuk do të ketë nevojë të ndalohen ato pasi askush nuk do të dojë t’i lexojë; Orwell kishte frikë se e vërteta do të fshihej, e Huxley kishte frikë se ajo do të hidhej në detin e parëndësisë.

“Kur populli hutohet nga trivialiteti, kur jeta kulturore ridefinohet si qark i përsëritshëm i zbavitjes, kur bashkëbisedimet serioze publike shndërrohen në llafe fëmijësh, kur, me fjalë të tjera, njerëzit bëhen audiencë dhe aktiviteti i tyre publik bëhet një akt estrade, atëherë kombi e sheh veten në rrezik, pasi vdekja e kulturës është shans i sigurt”, ka thënë Postman, sipas të cilit ajo çfarë Huxley thotë po ashtu është se në epokën e teknologjisë së përparuar, shkatërrimi shpirtëror ka më shumë gjasa të vijë nga një armik me një fytyrë të qeshur, sesa nga ai fytyra e të cilit shpreh dyshim dhe urrejtje!

Nuk dihet nëse Postman me fytyrën e qeshur e kishte fjalën për emotikonin e pëlqimit (Like) në Facebook, që vihet me apo pa vetëdije, por shqiptari është ndër të rrallët që përjetoi situatën oruelliane e sot atë haksliane. Përderisa në komunizëm, kudo, populli i shtypur ngushëllohej – duke mos i gjykuar moralisht – me seks dhe alkool, sot ai ngushëllohet me qasje në internet dhe liri të shprehjes verbale e pamore në Facebook. Nëse dikur u mohohej informata, sot u imponohet “bombardimi” për të mos mbajtur mend. Nëse dikur me dhunë u imponohej injoranca, sot kjo bëhet me kaosin informativ – në mënyrën që do ta frikësonte Orwellin më shumë se brenga që kishte më 1948. Nëse dikur shqiptarët mund të mos dinin se si dukeshin njerëzit e tyre të mëdhenj, ata mund të citonin fjalët apo veprat e mençura të tyre. E, sot njihet fytyra e çdo “fenomeni” debil online, e nuk dihet asgjë e mençur që kanë thënë këto “fenomene”.

Shkrimtari polak, Stanislaw Lem, do ta zbërthente më mirë këtë situatë, me këtë thënie: “Askush nuk lexon. Nëse dikush lexon, ai nuk kupton. Nëse kupton, ai menjëherë harron”! Prandaj, shqiptarët po fluturojnë në qiell, në tragjedinë e triumfit të injorancës.

Por, më 2065 parashikohet që Facebook të jetë një “varrezë digjitale” me më shumë anëtarë të vdekur se të gjallë. Pra, zbavitja nuk do të jetë e përjetshme e as injoranca. Ajo do të nisë të tretet, shpejt, në proceset e mëtejme të integrimeve, kur shqiptari i Kosovës do të futet në konkurrencë në një treg të gjerë evropian, e ku kërkohen kritere strikte – si për mishin e lopës ashtu edhe për trurin e njeriut.

Në konkurrencë të mirëfilltë evropiane, “Ciganët…” (me 65 milionë “Like”, pardon bileta të shitura) nuk fluturuan në Berlin, Venecie e Kanë…

Tarkovsky po, bashkë me artin dhe kulturën e tij që mbijeton edhe sot!