LAJMI I FUNDIT:

Vërtetohet aktgjykimi për terrorizëm për Amir Sopën

Vërtetohet aktgjykimi për terrorizëm për Amir Sopën

Gjykata Supreme e Kosovës, përmes trupit gjykues të përbërë prej dy gjykatësve të EULEX-it dhe tre gjykatësve vendës, ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, të shqiptuar kundër Amir Sopës, i akuzuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

"Trupi gjykues i Gjykatës Supreme refuzoi ankesën e paraqitur nga avokati i të pandehurit dhe e vërtetoi vendimin e shkallës së parë. Trupi gjykues bëri një ndryshim të përcaktimit juridik në vendim për të përfshirë pikën e posedimit të paligjshëm të armëve nën pikën e terrorizmit", thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Amir Sopa është shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës dhe atij i është shqiptuar dënimi i rëndë me dhjetë vjet e një muaj burgim, për dy pika të terrorizmit dhe të posedimit të paligjshëm të armëve.


Sopa është akuzuar për shkrimin e një letre kërcënuese drejtuar ish-kryetarit të Prishtinës, në emër të komandantit të Armatës Kombëtare Shqiptare, organizatë terroriste, dhe për hedhjen e një predhe, duke dëmtuar ndërtesën e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës. /Telegrafi/