LAJMI I FUNDIT:

Vetura të reja si investim i kompanive në ruajtjen e ambientit

Vetura të reja si investim i kompanive në ruajtjen e ambientit

Kujdesi ndaj ambientit është obligim ligjor që kanë të gjitha kompanitë në Kosovë. Në të kaluarën, kujdesi ndaj ambientit ka qenë vullnetare, mirëpo tashmë shumë direktiva të BE-së dhe ligje të vendin, janë strikte sa i përket ndotjes së ambientit duke përfshirë ajrin, tokën dhe ujin.

Lidhur me këtë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se vetëdijesimi i kompanive në ruajtjen e mjedisit është prioritet për ta.
“MMPH ka një Divizion për edukim dhe ndërgjegjësim për mjedisin, ne kuadër te Departamentit për mbrojtjen e mjedisit , i cili vazhdimisht organizon evente për te ngritur vetëdijen e publikut lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut”, thuhet në përgjigjet e MMPH.

Një nga projektet që po diskutohet në aspektin ambiental është ndërtimi i termocentralit të ri.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se projekti i Termocentralit Kosova e Re do të ndërtohet duke u bazuar në direktivat më të reja të BE-së sa i përket ambientit. “Kujdesi ndaj ambientit na obligon që të vazhdojmë me ritëm të shpejtë për ta finalizuar Projektin, pasi që ky projekt do të ndërtohet me një teknologji super-kritike, e cila aktualisht është teknologjia me e re e testuar në botë”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Sipas tyre me projektin e termocentralit Kosova e Re edhe gazrat do te reduktohen deri në 80 për qind, me një efiçiencë të gjenerimit në 40 për qind, e që mund të rritet deri në 43 për qind. “Ky termocentral do të shpenzojë sasi shumë më të vogël të thëngjillit për sasi të njëjtë të prodhimit të energjisë. Kur ia shtojmë kësaj se me hyrjen në gjenerim të TCKR ose pak më parë do të rehabilitohet edhe Kosova B, atëherë rrjedhimisht çështjet e mbrojtjes së ambientit do të jenë nën nivelet e përcaktuara nga Direktivat e BE-së”, deklaruan në MZHE.

Qasje të përgjegjshme ndaj mbrojtjes së mjedisit thonë se e kanë edhe “ProCredit Bank”. Kjo bankë ka blerë 10 vetura të reja “Mitsubish Miev”, të cilat punojnë 100% me energji elektrike dhe nuk e ndotin ambientin.

Albena Çerkaxhiu, nga ProCredit Bank thotë se pasurimi i flotës me këto vetura konfirmon përkushtimin e bankës në ruajtjen e mjedisit.
“Pa dyshim që këto vetura reflektojnë orientimin e bankës ProCredit në ruajtjen e mjedisit. Përmes këtyre veturave, ne kemi vë në pah lidhjen mes emetimit të dioksid karbonit dhe ndotjes urbane”, tha Çarkaxhiu.

Ajo thotë se veturat janë shumë ekonomike dhe shpenzojnë përafërsisht 12.5 kwh në 100 km. “Dobia më e madhe mjedisore e këtyre veturave është tek ulja e lirimit të ndotësve të ajrit deri në 100%, ndotës këta që kontribuojnë dukshëm në krijimin e smogut/mjegullës në qytete të mëdha”.

Një investim të ngjashëm e ka bërë edhe Kompania kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS). Këta të fundit dy vite më parë kanë blerë gjithsej 150 vetura të reja Renault, duke i hequr nga përdorimi veturat e trashëguara nga KEK-u.

“Automjetet e blera nga KEDS kane motorin Emission Euro 6 . Standard ( pra janë ekologjike ). Ky lloj i motorit është me i avancuari për automjetet e reja”, tha zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.

Sipas tij, këto automjete kanë një ndikim të madh në ruajtjen e mjedisit. “Këto automjete janë ekologjike për ngasje në çdo kohe edhe në vende të urbanizuara. Të njëjtën kohe duhet ta llogarisim se harxhojnë dukshëm me pak karburant se veturat e më hershme për shkak të sistemit me efikas dhe volumit më të vogël të motorit, pra janë 1.4 përderisa pjesa me e madhe e veturave te mëhershme ishin të vëllimit 3.0”, ka thënë Buzhala.

Emission Euro 6, është standardi më i lartë i motorëve sa i përket lirimit të gazrave, standard ky i aprovuar në vitin 2014 nga organet e BE-së.
Edhe veprimi i Komunës së Prishtinës për blerje të autobusëve të rinj është parë si hap për ruajtjen e ambientit, pasi autobusët që qarkullojnë aktualisht nëpër qytet nuk i përmbushin as për së afërmi standardet e kërkuara për emetim gazrash. /Telegrafi/

Foto2_815034