LAJMI I FUNDIT:

Vezët shiten në kundërshtim me ligjin, AUV mashtron konsumatorët

Vezët shiten në kundërshtim me ligjin, AUV mashtron konsumatorët

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është duke mashtruar qytetarët me shitjen e vezëve në kundërshtim me ligjin. Së fundmi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka lëshuar një komunikatë ku sqaron se në Kosovë do të shiten vezët me kode unike të prodhuesve të vezëve.

Mirëpo, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka mashtruar konsumatorët që nga viti 2008, kur edhe ka hyr në fuqi udhëzimi administrativ për kontrollimin e cilësisë së vezëve. Ndërsa tash shitja me kodim mund të quhet rimashtrim ndaj konsumatorëve.


Indeksonline ka hulumtuar dhe ka kontaktuar ekspert dhe konsultuar dokumente, që sjellin një përfundim, që në Kosovë vezët shiten pa iu nënshtruar të gjitha rregullave dhe kontrolleve.

Në komunikatën e AUV-së thuhet se vezët do të fillojnë të shiten me kod, por kodi tregon vetëm numrin e fermës nga vijnë vezët, por jo edhe deklaracione tjera që e parasheh ligji.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton të gjithë fermerët prodhues të vezëve dhe qytetarët si konsumatorë se duke filluar nga data 05.05.2016, në tregun e brendshëm, do të lejohen të qarkullojnë për konsum vetëm vezët të cilat janë të shënuara sipas kodeve të regjistrimit për prodhimet vendor me shifrën RKS-001 e tutje, ndërsa vezët e importit do të kenë të shënuara kodet e fermave të vendosura nga autoritete e tyre në vendin e origjinës”, thuhet në komunikatën që kishte lëshuar Agjencia e Ushqimit.

Por si duhet të shiten vezët në realitet. Ligji e thotë krejt ndryshe nga kjo që informon Agjencia e Ushqimit, që është autoriteti që mbron qytetarët nga ushqimet e dyshimta.

Që nga 2008 Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk e ka respektuar dhe as zbatuar udhëzimin administrativ për shitjen e vezëve.
Me këtë AUV e ripërsërit mashtrimin ndaj konsumatorëve.

Në udhëzimin administrativ NR.17/2008, për përcaktimin e cilësisë së vezëve në nenin 6 sqarohet komplet se si duhet të shiten vezët nëpër markete.
“Neni 17 Dispozita të përgjithshme për paketimin e vezëve 17.1 Paketimet e mëdha dhe te vogla të vezëve edhe kur janë në kuadër te paketimeve të mëdha duhet që në anën e jashtme të paketimit të kenë të dhënat në vijim: a) emrin, adresën dhe shenjen tregtare të subjektit i cili i ka paketuar vezët ose i ka dërguar në paketim; b) numrin e qendrës së autorizuar për paketim ose i prodhuesit; c) klasën dhe peshën, vezët e klasës “A” shënohen me shkronjën “A” bashkërisht me fjalën:”e freskët”; d) numrin e vezëve ne paketim; e) shënimet mbi afatin minimal të skadimit në përputhshmëri me dispozitat e nenit 18 të këtij udhëzimi administrativ. 17.2 Paketimet e mëdha dhe të vogla të vezëve mund te kenë në anën e jashtme dhe të brendshme të paketimit të dhënat në vijim: a) çmimin e shitjes; b) kushtet specifike të deponimit; c) datën e paketimit; d) datën e rekomanduar të shitjes; e) datën e prodhimit të vezëve; f) shënimet mbi mënyrën e të ushqyerit të pulave vojse; g) shenjen e origjinës se vezëve; h) numrin e shitjes me pakicë ose numrin kontrollues të depos; i) mbishkrime për rritje të shitjes , por pa e vënë në dyshim blerësin; j) shënime të tjera të cilat do t’i mundësojnë blerësit informata shtesë”, thuhet në udhëzimin administrativ.
Mirëpo vezët nëpër markete shiten nga 30 kokrra, pa deklaracion, pa treguar afatin e prodhimit dhe skadencës, pa treguar prejardhjen, pa asnjë të dhënë. Krejt çka tash tregojnë, është kodi. Por ky kod tregon vetëm fermën që kanë ardhur vezët, por jo edhe deklaracionin dhe afatin e prodhimit dhe skadencës.

Në vendet evropiane vezët shiten në dy mënyra. 10 kokrra dhe 20, të paketuara që përmbajnë të gjitha deklaracionet e datës së prodhimit dhe skadimit, prejardhjes.

Nëpër markete vezët shiten në paketim 30 kokrra, në kundërshtim të plot me ligjin. Madje edhe Kushtetuta e specifikon se çdo konsumator duhet të informohet për atë se çka konsumon. Nëpër markete të Kosovës has vezë që shiten veç me një kod, por që nuk ka asnjë të dhënë tjetër.

Indeksonline ka vizituar marketet dhe ka parë që e vetmja shenjt që është në vezë është kodi. Ne kemi kërkuar të na prezantohet edhe deklaracioni, por kanë refuzuar me arsyen se nuk kanë.

Për Selatin Kaçanikun, kryetar i organizatës “Konsumatori” që mbron të drejtat e konsumatoreve, institucionet e shtetit nuk kanë vullnet për zbatimin e ligjeve.

Kaçaniku thotë se kodimi i vezëve është punë e lënë në gjysmë, që len dyshime të shumta te konsumatori. Ai madje konsideron se tregu i vezëve ka qenë më mirë i kontrolluar para luftës. “Kodimi i vezëve është një punë e lënë në gjysmë dhe ‘amnistimi’ i prodhuesve të vezëve nga obligimet ligjore e mbështetë qytetarin konsumator në arsyeshmërinë e dyshimeve të shumta. AUV-ja nuk ka mandat për ta falë, amnistuar, favorizuar askënd. Pas këtyre veprimeve doemos do të ketë të dëmtuar, e këta janë konsumatorët. Mos të harrojmë se gjendja në tregun e vezëve para luftës së fundit ka qenë në nivel më të lartë”, thotë Kaçaniku për Indeksonline.

Kaçaniku thotë se krimi është bërë që nga 2008, sepse konsumatorët nuk e kanë ditur çfarë vezësh po konsumojnë. “Krimi është që pas 8 vitesh AUV-ja po iu thotë konsumatorëve ‘më falni që iu kemi mashtruar deri më tash dhe keni ngrënë gjithçka, mirëpo tash po vazhdojë mashtrimin sepse po ia vendosi një kod’. Çka i intereson konsumatorit kodi, kur nuk ka asnjë deklaracion”, thotë Kaçaniku për Indeksonline.

Indeksonline ka kontaktuar edhe kryetarin e Shoqatës së Shpendarisë, Agim Sahiti, për ta marr një përgjigje se pse vezët shiten në kundërshtim me ligjin. Sahiti në fillim ka pranuar t’i dërgohen pyetjet në adresën elektronike, por nuk është përgjigjur tash e 10 ditë.
Indeksonline e ka telefonuar sërish, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Prodhuesit e vezëve janë të obliguar që kur ta bëjnë shitjen e vezëve, çdo paketim duhet ta ketë deklaracionin. Por për ta sqaruar këtë nuk ka pranuar Sahiti. Ai ka heshtur për shitjen e kundërligjshme të vezëve. Indeksonline ka kontaktuar edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, por nuk kanë qenë të gatshëm ta sqarojnë shitjen e vezëve në kundërshtim me ligjin. /Indeksonline/Telegrafi/