LAJMI I FUNDIT:

Vjollca Llugiqi, me balet për njerëzoren

Vjollca Llugiqi, me balet për njerëzoren
Vjollca Llugiqi (Foto: Fahredin Spahija)

I ruan puantet e para që dikur ia bënin këmbët gjak, e nuk u ndal në rrugën e vështirë e të dhimbshme të baletit - që sot të bën të vallëzosh për të jetuar, e një ditë të jetosh për të vallëzuar. Për balerinën e njohur të Trupës së Baletit të Kosovës, Vjollca Llugiqi, mundi dhe puna e balerinit nuk shpaguhet kurrë sa duhet. Por, ajo e do artin, sepse beson se i bën njerëzit më të njerëzishëm, elegantë e delikatë, por edhe madhështorë.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Pothuajse secila vajzë ëndërron të bëhet balerinë. Sa duhet sakrifikuar që ëndrrat e shumë vajzave të bëhen realitet?

Të bëhesh balerinë është një nga ëndrrat më të bukura të çdo fëmije. Mirëpo, duke ditur se baleti – pos që është një nga artet më të bukura – është edhe një nga artet më të vështira fizike, atëherë ta realizosh këtë ëndërr vërtet duhet shumë mund e sakrificë. Kjo ëndërr të ndanë nga çdo lojë fëmijërore.

Vjollca, a është vërtet baleti aq i rëndë?

Puna që bëhet për këtë art është e stërmundimshme, sepse kërkon një angazhim aq të madh fizik, mendor dhe emocional, sa që shpeshherë trupi lodhet dhe nuk mund të durojë më. Ky angazhim të përcjellë gjatë tërë kohës që merresh me këtë profesion. Ndërsa, të ndahesh nga baleti është vështirë. Janë të paktë ata që e kanë braktisur, sepse është art që të tërheqë çdo herë e më shumë, sidomos kur sheh arritjet teknike dhe artistike tek vetja jote. Kjo të bën të mundohesh edhe më shumë, ta sprovosh veten se deri ku mund të shkosh e të japësh për baletin.

Nëse baletin nuk e nis qysh si fëmijë, sa shanse ka të jesh një balerinë profesioniste?

Përgatitja në moshën më të hershme është e domosdoshme për një balerinë. Mirëpo, nëse valltari posedon mundësi të mira fizike, ka gjasa që edhe në moshën më të rritur të arrijë të bëhet balerin profesionist. Gjithçka varet nga përkushtimi. Këtu vlen ai krahasimi i shumëpërmendur: 90 për qind punë, 10 për qind talent.

Kur nisët ta shihnit pasionin për kërcimin si të ardhmen tuaj?

Që nga shfaqja e parë që kisha, në moshën 15 vjeçe. Atëherë e ndjeja mungesën e ushtrimeve çdo herë e me shumë. Kështu, edhe gjatë pushimeve verore vazhdoja të ushtrohesha. Që nga ajo moshë veç kisha vendosur që baleti të jetë jo vetëm pasioni im përjetshëm, por edhe profesioni im.

A i mbani ende puantet e para kur keni kërcyer?

Po. I kam ende puantet e para edhe i ruaj ato. Me ato puante kam kërcyer në tri premiera dhe janë vërtetë një kujtim shumë i bukur e i veçantë. Madje, kam shënuar edhe datat e premierave në ato puante dhe, sa herë i shoh, më kujtojnë shumë gjëra të bukura, e njëkohësisht edhe të dhimbshme, sidomos kur dihet se kanë të bëjnë me fillimin e karrierës time. Dihet, ngritja në puante do teknikë tjetër dhe ndjen shume dhembje. Është interesant se mua më gjakosshin gishtat. Gjatë provave nuk mund të ecja. Mirëpo, në momentin që ngjitesha në skenë, harroja gjithçka. Më nuk ndjeja dhembje, por thjesht kënaqesha me muzikën që përcillja.

Çfarë ju bën ta doni kaq shumë kërcimin?

Perfeksioni i lëvizjeve që posedon baleti më jep ndjenjë të veçantë që nuk di si ta përshkruaj me fjalë. Është pastaj dëgjimi i muzikës që më jep një emocion dhe atë emocion mundohem ta shprehi me lëvizje. Kjo ndërlidhje më bën ta dua këtë art .

Jeni më shumë për baletin klasik apo për atë modern?

Ushtrohem rregullisht në baletin klasikë dhe në klasikë janë rregullat e caktuara që nuk të japin mundësin të dalësh jashtë atyre konturave. Prandaj, më pëlqen modernia, ndoshta për arsyen se jam si natyrë pak më ekspresive dhe se kam dëshirë të jap nga vetja më shumë emocion dhe lëvizje më të lira. Këto lëvizje klasikja nuk t’i lejon. Ndërsa unë aq shumë kam dëshirë të jem e lirë ne lëvizje, saqë ndonjëherë largohem pak edhe nga koncepti i lëvizjeve që i përcakton koreografi. Natyrisht, gjithnjë me lejen e tij .

Vjollca Llugiqi (Foto: Fahredin Spahija)

Sa orë në ditë ushtroheni për balet?

Punë intensive deri në katër orë në ditë, flas për kohën kur nuk jemi duke përgatitur ndonjë premier. Përndryshe, në rastet e tilla, deri te premiera ndodhë të punojmë edhe tetë orë në ditë.

A hanë vërtet balerinat pak apo e gjitha është çështje gjenetike?

Në trupën tonë të baletit kemi qëlluar të gjitha gjenetikisht të dobëta, kështu që nuk kemi probleme me mbipeshën. Por, natyrisht se kujdesemi që të hamë ushqim të shëndetshëm. Pos kësaj, kur dihen orët që i kalojmë duket ushtruar, atëherë mbipesha nuk është diçka që na kërcënon.

Sa kilogramë humbni nga pesha e trupit gjatë një shfaqjeje?

Nuk mund të them sakë sa kilogramë, sepse unë kam një peshë pothuaj konstante prej 49 kilogramëve. Por, mund të them që në fytyrat tona vërehet një lodhje, një stres dhe një përkushtim maksimal, sidomos gjatë muajit që përgatisim shfaqjen e re.

Si përgatitet psikikisht një balerinë para shfaqjes? Joga, meditimi, video-lojërat…?

Përgatitja psikike, ideale mbase, do të ishte meditimi. Por, kryesisht me video-lojëra mund ta gënjesh veten para një shfaqjeje, sepse kështu e anashkalon stresin dhe adrenalinën që të kaplon – mbi të gjitha në ditën e premierës – atëherë kur ke shumë pak kohë të përmirësosh ndonjë pasiguri e mezi pret të kalojë ai moment i vështirë.

Si ndihesh pas shfaqjes? A është vetëm lodhje fizike apo është edhe lodhje emocionale, sepse jepni çdo gjë nga vetja?

Ndihesh si një gjethe, si diçka e vogël, pa peshë dhe e lehtë… menjëherë pas mbarimit të shfaqjes. Por, të nesërmen shndërrohesh në diçka tjetër, në dyfishin e peshës që ke. Kjo për faktin se tek të nesërmen, pas premierës, e ndjenë lodhjen reale.

Mendoni se ky art është më i volitshëm për femra se sa për meshkujt?

Mendoj që për femrat është i bukur, elegant e delikat, ndërsa për meshkujt është madhështor. Nuk mendoj se baleti është më shumë për femra, sepse mungesa e meshkujve e bën shumë të mangët këtë art.

Keni shkëlqyer në një numër të madh paraqitjesh, nëpër vende të ndryshme të botës? Mbase kjo ju bën më atraktive në balet?

Të bën atraktive, më të vlerësuar dhe më të përmbushur me kërkesat që ke ndaj vetes. Suksesi është qëllimi i çdo pune, andaj baleti dhe puna që bëj kanë rëndësi për mua

Thuhet që artistët jetojnë për të bërë art. Po ju, vallëzoni për të jetuar, apo jetoni për të vallëzuar?

Vallëzoj për të jetuar, edhe pse e di që pas 20 viteve do ta ëndërroj vallëzimin. Atëherë ndoshta do të jetoja për të vallëzuar. Prandaj, mundohem ta shfrytëzoj kohën maksimalisht, të vallëzoj deri sa të më lejojë trupi dhe mosha

A shpërblehet sa duhet puna e një balerini, flas materialisht?
Fatkeqësisht asnjëherë.

Si e ndryshon arti botën, sipas teje?

Arti i bën njerëzit më të njerëzishëm seç janë, më humanë, prandaj duhet ta ndjekim këtë rrugë. Të merresh me art është privilegj dhe këtë privilegj nuk mund ta kenë të gjithë.

Po dashuria?

E, dashuria të bën më të përmbushur.

Vjollca Llugiqi (Foto: Fahredin Spahija)

Kur njerëzit përpiqen të të përshkruajnë, cilat janë fjalët që dëgjon më shpesh?

Kokëforte e punëtore. Këto janë fjalët që kam dëgjuar më shpesh. Nuk e di, ndoshta jam pak kokëforte, sepse kam dëshirë që punët që kam, t’i marr me shumë përgjegjësi dhe të mundohem t’ia dal mbanë.

E ndjeni xhelozinë e kolegëve? Si e shmangni?

Nuk e vërej, mbase edhe pse s’kemi shumë kohë për xhelozi. Gjithçka shmangim me punë. Pastaj, ne jemi një trupë e cila është rritur bashkë. Kemi qenë shumica në të njëjtën klasë dhe e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Si në një familje që nuk vërehet asnjëherë xhelozia, kjo ndodhë edhe tek ne. Mundohemi që ta ndihmojmë njëri-tjetrin në përgjithësi dhe për këtë meritor është profesori Ahmet Brahimaj. Vetëm ne që jemi në trupë e dimë se me sa shumë mund ka arritur ta riformojë trupën dhe të na mbaj kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin.

Përveç kërcimit, keni hobe të tjera?

Shumicën e kohës së lirë lexoj. Mundohem të zgjedh diçka që më tërheq, sidomos në këtë kohe vere. Tashti kam marrë disa libra shumë të bukur baleti të cilat mendoj t’i përfundoj së lexuari gjatë verës.

Cilat janë projektet tuaja për këtë verë dhe më tej?

Në këtë verë ne do të ndërpresim pushimet, sepse do të udhëtojmë në një festival në Itali. Në Kalabri mbahet çdo vit një festival i dancit modern, ku do të marrin pjesë trupa të ndryshme. Aty do të kemi mundësinë që pos interpretimit të shfaqjes sonë, të këmbejmë përvojat edhe me trupat tjera pjesëmarrëse. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori