LAJMI I FUNDIT:

Zbutet deflacioni në Eurozonë

Zbutet deflacioni në Eurozonë

Eurozona konfirmohet në deflacion për të dytin muaj me radhë gjatë majit, pavarësisht se çmimet ranë me një hap më të ngadaltë në krahasim me muajin paraardhës.

Deflacioni në rajonin e monedhës së përbashkët europiane u zbut pranë 0.1 për qind gjatë majit në krahasim me 0.2 për qind që fiksohej muajin e kaluar. Zbutja e lehtë e deflacionit vjen si pasojë e rimëkëmbjes së çmimeve të naftës.

Inflacioni bazë ndërkohë, që përjashton produktet me luhatshmëri të lartë, si energjia apo ushqimet e papërpunuara, u rrit lehtë gjatë majit, pranë 0.8 për qind nga 0.7 për qind që ishte më parë. Çmimet në sektorin energjetik vazhduan rënien me një hap më të ngadaltë.

Gjatë Majit, rënia fiksohet pranë 8.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që në muajin Prill, rënia fiksohej pranë 8.7 për qind. Shifrat paraprake janë gjithashtu në linjë me projeksionet e ekonomistëve.

Çmimet në sektorin e shërbimeve, që është edhe sektori më i madh në rajon, u rritën me 1 për qind në terma vjetorë, që është edhe rritja më e madhe që përbëjnë indeksin e çmimeve të konsumit.

Të enjten pritet edhe vendimi i radhës i Bankës Qendrore Europiane sa i përket ecurisë së politikave monetare dhe këto të dhëna nuk pritet të ndikojnë shumë në ketë vendim, e as në projeksionet mbi inflacionin. /Telegrafi/