LAJMI I FUNDIT:

Zëvendësministri Hoti po qëndron në Britani të Madhe

Zëvendësministri Hoti po qëndron në Britani të Madhe

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti po qëndron në një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe ku po zhvillon takime të rëndësishme me përfaqësues të kulturës nga Britania e Madhe si dhe përfaqësues të shoqatave kulturore shqiptare në Londër.

Zëvendësministri është takuar me Stephen Nash, kryesues i shoqatës “Anglo Albanian Association” në Londër e cila për më shumë se 100 vite ka qenë promotore dhe mbështetëse e madhe e shqiptarëve.

Në takim është diskutuar rreth konkretizimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme kulturore si në atë të filmit, trashëgimisë, e artit në përgjithësi.

Nash ka shprehur gadishmëri të madhe për bashkëpunim sidomos në fushën kinematografike ku ka paraqitur një sërë propozimesh për projekte konkrete.

Ai shprehi interesim për projekte të përbashkëta edhe në fushën e trashëgimisë kulturore duke theksuar se Kosova do të jetë prioritet për projektet kulturore të shoqatës.

Ndërkaq, Hoti shprehi falënderimet e tij për kontributin e madh që organizata ka dhënë për më shumë se një dekadë për të drejtat e shqiptarëve anekënd si dhe për promovimin e kulturës shqiptare.

Hoti tha se MKRS është e gatshme që sa më shpejtë të nis bashkëpunimin me shoqatën nëpërmjet organizimit të seminareve të përbashkëta, nëpërmjet projekteve sidomos në fushën e trashëgimisë dhe në promovim të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Të dy u dakorduan që në muajt në vijim, propozimet për projektet bashkëpunuese të marrin jetë sa më shpejtë nëpërmjet konkretizimit të hapave fillestarë.

Hoti është takuar edhe me Mirjeta Palajn, përfaqësuese zyrtare e shoqatës “Edith Durham” në Londër me të cilën biseduan rreth aktiviteteve kryesore që kjo shoqatë zhvillon.

Palaj e njoftoi zëvendësministrin se ndër aktivitetet kryesore të shoqatës përfshijnë organizime për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë, përkrahja e komuniteteve të ndryshme si dhe nisma që lidhen kryesisht që lidhen me arsimin.

Hoti e përgëzoi Palajn për punën që organizata po bënë sidomos për fëmijët shqiptarë. Ai shprehi gatishmërinë e MKRS-së për të bashkëpunuar me shoqatën nëpërmjet projekteve të veçanta./Telegrafi/