LAJMI I FUNDIT:

Zharku përuroi fillimin e punimeve të rrugës Gadime e Epërme-Smallushë-Sllovi

Zharku përuroi fillimin e punimeve të rrugës Gadime e Epërme-Smallushë-Sllovi

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, me bashkëpunëtorë dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, përuruan fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Gadime e Epërme-Smallushë-Sllovi në komunën e Lipjanit.

Ministri Zharku falënderoi kryetarin Ahmeti dhe banorët e kësaj zone për mirëkpritje dhe i siguroi ata se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë të investojë projekte të tjera këtë vit dhe vitin e ardhshëm në përmirësimin e infrastrukturës lokale të komunës së Lipjanit.


“Kryetar, fillimisht të falënderoj për ftesën që më keni bërë për të vizituar këtë zonë dhe së bashku me të gjithë këta bashkëqytetarë tuaj të bëjë përurimin e fillimit të punimeve në këtë rrugë të një rëndësise së posaçme për banorët e Smallushës, Gadimes së Epërme edhe të Sllovisë. Ky investim është në vlerë rreth 440 mijë euro dhe gjatësia e rrugës është 5 kilometra. Përveç kësaj, ju e dini se tanimë jemi në procedura të prokurimit për fillimin e projekteve tjera infrastrukturore në komunën e Lipjanit, që do të vazhdojnë me rehabilitimin e rrugës Lipjan-Magurë, dy rrethrrotullimeve që janë shumë të rëndësishme, rrethrrotullimi i Janjevës dhe ai te Burgu i Lipjanit. Në anën tjetër, ne bashkërisht kemi biseduar që vitin e ardhshëm të përfshihen edhe disa projekte të tjera në përputhje me prioritetet që i keni ju si

Komunë dhe që po bëhen në bashkëpunim me të gjithë qytetarët tuaj. Unë ju falënderoj për projektet që po i bashkëfinancojmë. Ne po kontribuojmë në rregullimin e infrastrukturës lokale. Jam i bindur se një infrastrukturë shumë më e mirë po mundëson zhvillim ekonomik më të mirë dhe natyrisht zhvillim të bujqësisë. Ju falënderoj edhe njëherë për këtë pritje të mirë”, theksoi ministri Zharku.

Ndërsa, kryetari Ahmeti falënderoi ministrin Zharku për mbështetjen e madhe në përmirësimin e infrastrukturës lokale në komunën e Lipjanit.

“Po e asfaltojmë një rrugë të një rëndësie shumë të madhe, sepse kjo rrugë lidh disa fshatra me shumë banorë. Banorët e Sllovisë dhe Gadimes nuk do të kenë nevojë të dalin në rrugën magjistrale, por ata do ta kenë mundësinë përmes kësaj rruge të qarkullojnë, e cila lidh një pjesë të madhe të popullatës, diku rreth 20 mijë banorë të këtij rajoni. Unë e falënderoj ministrin Zharku edhe në emrin tuaj, që gjeti mundësi financiare për të filluar ndërtimin e kësaj rruge. Besoj se do të jetë një arterie e mirë e rrugës dhe në perspektivë do të ndikojë shumë në zhvillimin e kësaj zone. Faleminderit shumë Ministër dhe posaçërisht i falënderoj banorët e kësaj zone për bashkëpunimin e madh të dhënë në realizimin e këtij projekti”, theksoi kryetari Ahmeti.

Ky investim i Ministrisë së Infrastrukturës ka një gjatësi prej 5 kilometrash, ndërsa vlera e realizimit të tij është 439,916.54 euro.

Ministria e Infrastrukturës do të investojë edhe projekte të tjera kapitale në këtë komunë, siç janë: rruga Lipjan-Magurë, disa rrethrrotullime në Lipjan dhe një arterie e re që lidh qytetin e Lipjanit me magjistralen Prishtinë–Hani i Elezit, që do të fillojë së realizuari në fillim të vitit 2017. /Telegrafi/

unnamed (8)