LAJMI I FUNDIT:

Zjarr në një depo armësh në Indi, 17 viktima

Zjarr në një depo armësh në Indi, 17 viktima

Të paktën 17 ushtarë indianë humbën jetën si pasojë e një zjarri masiv në një depo armësh në shtetin perëndimor të Maharashtrës.

Zyrtarë të ushtrisë thanë se zjarri në depon pranë qytetit Nagpur shkaktoi një seri shpërthimesh, duke bërë të detyrueshëm evakuimin e banorëve nga fshatrat rreth bazës.


Zjarrfikësit aktualisht po përpiqen që të shuajnë zjarrin, i cili shkaktoi gjithashtu edhe 19 të plagosur.

Sipas mediave, përcjell TCH, dy prej viktimave janë oficerë.

Shkaku i zjarrit është ende i panjohur, por jo zyrtarisht, ushtria indiane ka përjashtuar mundësinë e një akti terrorist.

Zjarri shpërtheu të martën në mëngjes dhe u përhap me shpejtësi në depon e armëve.

Mediat lokale raportojnë se mbi 1000 civilë u evakuuan nga zona rreth bazës, ndërsa predhat fluturonin në të gjitha drejtimet.

Incidente të tilla, fatkeqësisht nuk janë të rralla në depot e armëve në Indi, ku siguria është kritikuar shpesh.

Në vitin 2010, një zjarr në një prej depove më të mëdha të armëve në Panagar shkaktoi shumë shpërthime municionesh, por përfundoi pa viktima.

Në vitin 2007, një tjetër zjarr në një depo armësh në zonën Anantang në Kashmir bëri të detyrueshëm evakuimin e mijëra njerëzve, pasi predhat e ndezura nga zjarri binin si breshër mbi zonat e banuara.