LAJMI I FUNDIT:

Zjarri në spital, shkon në katër numri i viktimave

Zjarri në spital, shkon në katër numri i viktimave

Shkon në katër numri i viktimave të zjarrit të qëllimshëm që ndodhi dy ditë më parë në një spital privat në kryeqytet. Dashamir Saraçi ka ndërruar jetë pasditen e sotme, pas djegies së rëndë që pësoi dy ditë më parë. Saraçi ishte shënjestra e sulmit me benzinë nga Lefter Canaj, i cili ndërroi jetë dje.

Ngjarja ndodhi paraditen e së hënës në ambientet e brendshme të Spitalit Amerikan, në në zonën e Laprakës në kryeqytet, pranë Spitalit të Traumës.


Pacienti Lefter Canaj, 57 vjeç, i cili kurohej në Repartin e Hemodializës, ka shkaktuar qëllimisht zjarr në brendësi të repartit, duke lënë të vdekur në vend dy paciente të cilat merrnin dializë, si dhe duke plagosur rreth 20 të tjerë. Viktimat e para të ngjarjes së rëndë ishin shtetaset Sanie Sulaj, 55 vjeçe, nga Mamurrasi dhe Hanife Mali, 55 vjeçe, nga Laçi, që u gjet poshtë krevatit e karbonizuar, raporton Shekulli.

Shkak për zjarrin e rënë është bërë një konflikt mes dy pacientëve, të cilët kuroheshin në të njëjtin repart, por qëndronin në dhoma të ndryshme. Sipas policisë, ka qenë shtetasi Lefter Canaj, i cili me një shihe benzinë ka shkuar në dhomën ku qëndronte pacienti tjetër Dashamir Saraçi, 47 vjeç, duke spërkatur këtë të fundit me lëndën djegëse dhe më pas i vuri flakën. Të dy morën djegie të shumta, të cilave nuk u mbijetuan dot.