LAJMI I FUNDIT:

Zogaj-Gashi: Këmbimi i përvojave inkurajon bashkëpunimin ekonomik bilateral

Zogaj-Gashi: Këmbimi i përvojave inkurajon bashkëpunimin ekonomik bilateral

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi së bashku me zëvendësministrin e Administrimit të Pushteti Lokal (MAPL) dhe njëherit këshilltar i Kryeministrit për Komunitet, Bajram Gecaj, morën pjesë në forumin “Fuqizimi i grave ndërmarrëse në promovimin e biznesit mes Kosovës dhe Serbisë”, i cili u zhvillua në Beograd.

Në konferencë ishin të pranishëm ishin Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Keefe, përfaqësues të Zyrave Ndërlidhëse të Kosovës dhe Serbisë, mbi 80 biznese të grave nga dy vendet, Oda Ekonomike të Serbisë dhe përfaqësues nga OJQ-të.


Me këtë rast zëvendësministrja vuri theksin në rëndësinë që ka shkëmbimi i përvojave dhe inkurajimi i bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve. “Na takon ne si institucione të punojmë se bashku me Odat Ekonomike, komunitetin e biznesit, forume të tilla si ky që jemi mbledhur sot, të gjitha kjo për një jete më të mirë të qytetarëve tanë, si dy vende e ardhmja e të cilave është vetëm Bashkimi Evropian”, u shpreh Zogaj-Gashi.

Më tej ajo përmendi reformat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të lehtësuar ambientin biznesor, arritjet dhe sfidat, duke theksuar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit, ka krijuar një momentum të ri, një stabilitet ekonomik dhe politik.

Sipas saj, tanimë kompanitë vendore prodhuese dhe shërbyese do të kenë mundësi që Produktet ‘Made in Kosova’ t’i eksportojnë dhe të hyjnë në tregun e Bashkimit Evropian (BE) pa ndonjë barrierë, që përbëhet nga më shumë se 508 milionë konsumatorë. Brenda kësaj agjende parashihen intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve të punës dhe kapitalit.

Numri dy i MZHE-së, ka vënë në pah reformën fiskale, ligjin për fondin mbi garantimin e kredive për biznese, ndërtimi dhe rregullimi i infrastrukturës fizike të zonave ekonomike, përmirësimi dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore 10, ndërtimi Termocentralit Kosova e Re, që pritet të nis vitin tjetër, me vlerë prej mbi një miliardë euro.

“Sot, si rezultat i bashkëpunimit të grave ndërmarrëse, shohim funksionimin e Forumit të grave ndërmarrëse nga Kosova dhe Serbia, i cili ka arritur mbi 250 biznese të grave të jenë pjesë e kësaj strukture dhe e cila shërben si kontribut në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në mjedisin e biznesit. Duhet të inkurajojmë odat ekonomike ta fuqizojnë Forumin dhe promovimin e punës së tyre duke i ndihmuar ata në komunikimin me komunitetet e tyre përkatëse të grave në biznes dhe në përhapjen e informacionit për biznese-konkrete dhe të marrëveshjeve të tregtisë të lidhura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE”, theksoi zëvendësministrja Zogaj-Gashi.

Ndryshe, ky forum hyn në vazhdën e aktiviteteve, të cilat ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për integrim Euro-Atlantik të të dyja vendeve.

Forumi është organizuar nga Demokraci për Zhvillim ( D4D), TransConflict e financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd. /Telegrafi/