LAJMI I FUNDIT:

Zonat e dështuara ekonomike

Zonat e dështuara ekonomike

Në mars të vitit 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që tri qytetet e vendit, Prizrenin, Mitrovicën dhe Gjakovën, t’i shpallë si zona të lira ekonomike. Mirëpo, nga ajo kohë e deri më tash asnjëra nga këto nuk kanë arritur të funksionalizohen në praktikë

Tri qytetet e vendit, Prizreni, Mitrovica dhe Gjakova, vazhdojnë të mbajnë epitetin e zonës së lirë ekonomike. Por, emërtimi i tyre ka mbetur vetëm në letër, pasi që jetësimi i këtyre zonave tash e dy vjet nuk është funksionalizuar. Vendimi që këto qytete të shpallen zona të lira ekonomike ishte marrë në mars të 2014 nga Qeveria, e cila udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Në këto zona të lira është pretenduar se do të punësohen rreh 10 mijë veta dhe se përmes kësaj do të ndikonin në uljen e papunësisë. Por, edhe pas dy vjetëve nuk është bërë asnjë hap që këto zona të funksionalizohen. Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë pranuar se ende ndodhen në procesin e funksionalizimit të këtyre pronave.

Vjollca Dibra, këshilltare për medie në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë për gazetën “Zëri” se Ministria është duke punuar për funksionalizimin e këtyre zonave.

Ajo ka bërë të ditur se komuna e Prizrenit ka ndarë lokacionin dhe ka filluar me kompletimin e dokumentacionit për krijim të zonës ekonomike, mirëpo deri më tani ende nuk e ka kompletuar lëndën konform legjislacionit për Zona Ekonomike. /Zëri/Telegrafi/