LAJMI I FUNDIT:

Hapet Panairi i Turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë

Hapet Panairi i Turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në inaugurimin e panairit të turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë “Travel 2016” i cili u hap sot në Prishtinë dhe ku po marrin pjesë ekspozues nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia etj.
Në fjalën e saj, ministrja Bajramitha se mbajtja e një panairi të tillë i cili i dedikohet sektorit të turizmit është zhvillim pozitiv i cili ua mundëson kompanive dhe operatorëve turistik nga Kosova të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre si dhe të rrisin nivelin e bashkëpunimit me homologët e tyre nga jashtë.

Bajrami tha se Qeveria e Kosovës po punon me përkushtimnë fuqizimin e sektorit të turizmit dhe rritjen e rolit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ajo shtoi se “Kemi filluar me rishikimin e legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të krijohet një ambient më i përshtatshëm për sektorin privat dhe këtu hyn edhe draftimi i Ligjit të ri të Turizmit,në të cilin po punohet, i cili ligj parasheh forcimin e kapaciteteve institucionale të cilat do t’i japin dimension të ri dhe shtytje më të madhe zhvillimit të turizmit në vendin tonë.”


Ministrja Bajrami nënvizoi se në fushën e hartimit të politikave turistike Kosova ka arritur marrëveshje me shtetet e rajonit, si me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë, ndërkaq me Slloveninë është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik, që përfshinë edhe turizmin. Ajo shtoi se Qeveria po punon në rritjen e numrit të marrëveshjeve edhe me shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë. “Kosova po punon që sektori i turizmit të fuqizohet gjatë viteve vijuese dhe një nga synimet tona është edhe anëtarësimi në Organizatën Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara(UNWTO) e cila është njëra nga organizatat më të mëdha botërore në fushën e turizmit, e cila promovon turizmin si mjet për rritjen ekonomike, zhvillimin gjithëpërfshirës, qëndrueshmërinë e mjedisit dhe ofron udhëheqje dhe mbështetje për sektorin në avancimin e njohurive dhe politikave të turizmit në mbarë botën”, tha ministrja Bajrami.

Sipas saj, Qeveria është duke punuar në arritjen e synimit për një sistem të qëndrueshëm të turizmit, ngritje të infrastrukturës, ngritje të zhvillimit të turizmit në përgjithësi por edhe ngritjen e punësimit dhe të mirëqenies sociale. Në këtë kuadër, ajo tha se është hartuar plani zhvillimor për sektorin e turizmit i cili është në fazën finale.

Për fund, ministrja Bajrami u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë me të gjithë partnerët vendor dhe të huaj në fuqizimin sa më të madh të këtij sektori dhe promovimin e vlerave turistike të Kosovës paralelisht me mbështetjen e projekteve që kanë për qëllim rritjen e ofertës turistike dhe përmirësimin e shërbimeve në mënyrë që vendi ynë të futet në hartën ndërkombëtare si një destinacion turistik konkurrues dhe i cili do t’i sjellë të mira ekonomisë së vendit. /Telegrafi/